A do të luajë Lionel Mesi në Botëror? Trajneri i Argjentinës zbulon detaje: Nuk duhet ta lodhim, le të jetë i qetë…
Trajneri i Argjentinës, Lionel Skaloni, ka deklaruar se vendimi për pjesëmarrjen e Lionel Mesit në Kupën e Botës 2026 do të jetë personal i tij. Ai ka theksuar se ka qenë në kontakt me Mesin dhe ka biseduar me të për shumë çështje, por jo konkretisht për Kupën e Botës, pasi ende ka kohë.
Skaloni u shpreh: “Nuk duhet ta lodhim, le të jetë i qetë dhe do të vendosë. Pastaj do të shohim çfarë është më e mira në bazë të këtij vendimi.”
Trajneri ka shtuar se ata që e njohin Mesin e dinë që ai nuk rri dot pa garuar. “Ai ka lindur garues, dëshiron të fitojë, dëshiron të luajë, gjithmonë të jetë aty. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos për bashkëlojtarët, të cilët e shohin kapitenin të sillet ashtu dhe dëshiron të luajë gjithmonë për kombëtaren”, u shpreh trajneri që udhëhoqi Argjentinën drejt fitimit të Kupës së Botës në vitin 2022.
