Die. Dhj 16th, 2018

Meta dekreton ndryshimet në ligjin për “Lojërat e Fatit”

TIRANË, 9 nëntor.- Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekretoi sot ndryshimet në ligjin për “Lojërat e Fatit” në Shqipëri.

Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës, Presidenti Meta dekretoi ligjin nr. 75/2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Ligji për “Lojërat e Fatit”u miratua më 25 tetor të këtij viti në Kuvend me 75 vota pro të deputetëve të Partisë Socialiste. Parlamenti votoi nen për nen dhe në tërësi ligjin për mbylljen e lojërave të fatit në datën 31 dhjetor 2018, në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ligji parashikon që nga 31 dhjetori i këtij viti të gjitha kazinotë dhe pikat e basteve do të mbyllen. Kazinotë do të jenë vetëm në hotele me 5 yje në zonat turistike.

Nga 31 dhjetori i 2018 do të pushojnë së funksionuari të gjitha kazinotë elektronike që ndodhen pranë zonave të banuara. Lojërat e fatit, ku përfshihen bastet dhe kazinotë janë cilësuar si një plagë sociale për shumë familje.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se të ardhurat që shkonin për këtë biznes, do t’i kthehen familjeve shqiptare.

Për të papunët që do të dalin nga mbyllja e pikave të basteve dhe kazinove qeveria shqiptare ka parashikuar punësimin dhe trajnimin e tyre./k.s//e.caushi/

Kategori