Meta ofrohet si dëshmitar për ngjarjet e 21 Janarit, Berisha: Meta mund të ketë informacione
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është vetëofruar të jetë dëshmitar në procesin gjyqësor të lidhur me ngjarjet e “21 Janarit”, duke pretenduar se disponon informacione të pazbuluara. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke iu përgjigjur pyetjeve të mediave rreth këtij fakti, u shpreh se Meta mund të ketë vërtet informacione, pasi në atë periudhë mbante postin e zv/kryeministrit.
Berisha zbuloi gjithashtu se Meta në atë kohë i kishte shkuar në zyrë dhe i kishte deklaruar se do të dorëhiqej, pasi nuk dëshironte të paraqitej në prokurori në cilësinë e zyrtarit të lartë.
“Dihet botërisht se Edi Rama, për të organizuar ngjarjet e ’21 Janarit’, manipuloi dhe falsifikoi një regjistrim të madh të ndjerit Dritan Prifti. Sipas këtij regjistrimi, Meta pretendohet se ishte paguar 700 mijë euro nga një biznesmen që kërkonte të realizonte të drejtën e tij legjitime.”
“Si kryeministër, unë kisha dëgjuar fillimisht Dritan Priftin, i cili më kërkoi të më emëronte në një detyrë tjetër të rëndësishme, përndryshe kishte një regjistrim. I thashë: ‘nxirre sapo të dalësh nga dera e zyrës time.’ Ai kurrë nuk mund të më merrte mua pushtetin. Së dyti, kishte një shkresë të firmosur nga pronari i një kompanie, i cili kishte fituar me vendim gjyqësor të drejtën e koncesionit për një hidrocentral.”
