Meta gjobitet me 540M€ në Spanjë për konkurrencë të padrejtë

Gjobitet Meta me 540 milionë euro në Spanjë për konkurrencë të padrejtë në tregun mediatik

Një gjykatë tregtare në Madrid ka urdhëruar gjigantin teknologjik amerikan Meta, pronar i platformave si Facebook dhe Instagram, të paguajë mbi 540 milionë euro dëmshpërblim për mediat spanjolle. Ky vendim përfaqëson një nga goditjet financiare më të rëndësishme për një kompani teknologjike në Evropë.

Meta u shpall fajtore për konkurrencë të padrejtë dhe për shkelje serioze të Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR). Sipas vendimit, gjatë periudhës 2018-2023, Meta ka shfrytëzuar të dhënat e përdoruesve spanjollë pa marrë pëlqimin e tyre të qartë. Këto të dhëna janë përdorur për të krijuar profile të personalizuara reklamash, duke sjellë fitime të konsiderueshme për kompaninë, në dëm të mediave vendase të cilat kanë vepruar në përputhje me ligjin.

Shoqata AMI ka vlerësuar vendimin si “një fitore historike për gazetarinë, për konkurrencën e ndershme dhe për demokracinë”.

Reagimi i Meta-s

Kompania ka reaguar duke e cilësuar vendimin “tërësisht të pabazë” dhe ka njoftuar se do të bëjë apel menjëherë. Meta argumenton se vendimi injoron mënyrën si funksionon tregu i reklamave online dhe se kompania respekton të gjitha ligjet, duke u ofruar përdoruesve mjete për të kontrolluar të dhënat e tyre.

Ky rast krijon një precedent të rëndësishëm, duke qenë hera e parë që një gjykatë evropiane detyron një platformë të madhe të kompensojë drejtpërdrejt mediat tradicionale për humbjet e shkaktuara nga shkelja e privatësisë së përdoruesve për qëllime reklamimi.

Scroll to Top