Meta i përgjigjet Lamallarit: Dje patëm 42 ndërprerje të energjisë elektrike, uji furnizohet vetëm 3 orë në ditë
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga burgu i është përgjigjur ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili në Parlament deklaroi ndër të tjera se “nuk ka pasur persekutim politik për Ilir Metën”.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ish-presidenti i Republikës e ka ironizuar ministrin, duke e quajtur “Diella” e Drejtësisë. Meta ka ngritur shqetësime lidhur me problemet me të cilat përballen të burgosurit, si mungesa e energjisë elektrike, ujit dhe shërbimeve shëndetësore.
“Dëgjova ‘Diellën’ e Drejtësisë që fliste për situatën në burgje dhe meqë nuk e di, po e njoftoj që vetëm dje ka pasur 42 ndërprerje të energjisë elektrike në IEPV ‘Jordan Misja’, jo vetëm për mua, por për rreth 500 të burgosur dhe të paraburgosur që ndodhen këtu,” shkroi Meta.
Ai ka shtruar pyetje retorike drejtuar ministrit:
- “A e di ‘Diella’ e Drejtësisë që këtu ka vetëm 3 orë ujë në ditë?”
- “A e di ‘Diella’ e Drejtësisë që në burgje vdesin qytetarë për mungesën e trajtimit të duhur shëndetësor?”
- “A e di ‘Diella’ e Drejtësisë që gardianët nuk kanë marrë asnjë qindarkë shpërblim për punën jashtë orarit, as ushqimin, as trajtimin që meritojnë sipas ligjit?”
“E ç’mund të presësh nga ‘Diellat’? Ato janë pjellë e AKSHI-t, simbolit të korrupsionit skizofrenik,” përfundoi Meta.
Lidhur me respektimin e të drejtave të tij, Meta theksoi: “Dua t’u kujtoj të gjithë qytetarëve që akoma nuk më kanë dorëzuar të zbardhur, as mua, as avokatit tim, vendimin e 2 korrikut 2025, të dënimit tim të dytë nga IEPV ‘Jordan Misja’ për lirinë e fjalës.”
