Meta tërhiqet nga kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë

Meta tërhiqet nga kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka hequr dorë nga kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë, të cilën e kishte paraqitur më parë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Kërkesa për ndryshimin e masës ishte depozituar nga Meta, por gjatë seancës së zhvilluar sot në GJKKO, ai ka vendosur të tërhiqet.

Si pasojë, gjykata nuk do të shqyrtojë më kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë dhe masa e vendosur më parë ndaj tij mbetet në fuqi.

Arsyet e vendimit të Metës për t’u tërhequr nga kërkesa nuk janë bërë ende publike.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja e partisë së tij, Monika Kryemadhi, dyshohet se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë, prej rreth 15 vitesh kanë shfrytëzuar pozitat e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private. Gjithashtu, ata dyshohen për veprimtari lobimi në SHBA dhe shitblerje banesash, në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshihin, duke mos i deklaruar në Inspektoriatin Lidhor të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPI) dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Deputetja Kryemadhi po hetohej nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për tre akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash.

Më 23 tetor, gjykata la në fuqi masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për veprat penale të njëjta, si dhe ndaj personit të hetuar Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë, për Piro Xhixhën, i cili hetohet për korrupsion pasiv, masa e sigurisë u zëvendësua nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre personat e hetuar, të cilëve u është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore pranë SPAK.

Scroll to Top