Braktisen minierat, MIE revokon 11 leje vetëm në fund të shtatorit
Sektori minerar në përgjithësi duket se nuk po kalon një periudhë të favorshme, veçanërisht në aspektin e shfrytëzimit të lejeve të dhëna subjekteve vit pas viti. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), vetëm në datën 29 shtator të këtij viti, ka lëshuar të paktën 11 njoftime për fillimin e procedurave të revokimit për një seri minierash në vend. Kjo sjell në total 26 leje të revokuara nga fillimi i vitit.
Shkak kryesor për revokimin e këtyre 11 lejeve të fundit duket të jetë mungesa e aktivitetit minerar për një periudhë të konsiderueshme kohore. Kjo do të thotë se subjektet që zotërojnë këto leje kanë pushuar aktivitetin në minierë për më shumë se një vit. Ky është shkaku dominues në rastet e fundit.
Në disa raste të tjera, arsyeja e revokimit ka qenë mospërmbushja e planeve të investimit që kompanitë përfituese të lejeve kishin premtuar të realizonin në këto miniera. Lejet minerare të revokuara së fundmi i përkasin minierave në Bulqizë, Kukës, Librazhd, Lezhë dhe Përrenjas.
Më herët gjatë këtij viti, Ministria kishte revokuar disa leje për shkak se kompanitë nuk kishin kryer pagesën e garancisë financiare për rehabilitimin për vitin 2024. Kjo pagesë, e sanksionuar me ligj, duhet të kryhet çdo vit nga kompanitë që zotërojnë një leje minerare mbi një zonë të caktuar. Kjo shumë parash sigurohet nga kompania me qëllim që të përdoret për kthimin në gjendjen e mëparshme të terrenit.
Gjatë vitit 2024, MIE ka revokuar 19 leje minerare. Përveç arsyeve të lidhura me mosushtrimin e aktivitetit dhe moskryerjen e pagesës së garancisë, ka pasur edhe raste të mospërmbushjes së detyrimeve lidhur me planin e punës, si dhe raste kur subjektet kanë bërë deklarime të pasakta pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve të Natyrës. Kjo do të thotë se deklarimet nuk përputheshin me situatën faktike në terren ku subjekti ushtronte aktivitetin.
