Milani: Furlani, Tare, Alegri planifikojnë të ardhmen

Takim në selinë e Milanit: Furlani, Tare dhe Alegri planifikojnë të ardhmen e kuqezinjve

Një takim për të analizuar momentin aktual dhe për të projektuar të ardhmen u zhvillua mëngjesin e djeshëm në “Casa Milan”. Në takim morën pjesë trajneri Masimiliano Alegri, administratori deleguar Xhorxho Furlani dhe drejtori sportiv Igli Tare.

Ky takim është rutinë, si ai i zhvilluar javën e kaluar në Milanelo, dhe do të përsëritet sërish edhe sot në qendrën stërvitore, ku Furlani do të takojë grupin dhe stafin teknik.

Çfarë kërkon Alegri për të ardhmen?

Në fund të sezonit, temat për diskutim nuk mungojnë. Nga ndeshjet e mbetura, duke nisur nga përballja e rëndësishme ndaj Juventus, të cilat janë vendimtare për objektivin Champions, deri te planet për sezonin 2026-27.

“Duhet të mendojmë jo për dy-tre muajt e ardhshëm, por për një ose dy vite”, ishte deklarata e Alegrit para ndeshjes me Veronën. Trajneri është i bindur se Milani nuk është prapa në projektin e tij dhe këto takime shërbejnë pikërisht për të përcaktuar strategjitë e së ardhmes, përfshirë edhe merkaton.

“Kam nisur një rrugëtim këtu dhe dua ta vazhdoj”, kishte theksuar ai pas fitores së fundit. Në këtë drejtim, pas punës së bërë këtë sezon, ku skuadra është ngjitur nga vendi i nëntë në të dytin, Alegri kërkon garanci për investime në lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë. Për të vazhduar rritjen, Milani ka nevojë për përforcime të nivelit të lartë.

Burimi: PANORAMASPORT.AL

Scroll to Top