Minatorët e Spaçit: Fund proteste, betejë ligjore për të drejta

Minatorët e Spaçit i japin fund protestës pas 40 ditësh: Beteja për të drejtat do të vijojë në rrugë ligjore

Pas 40 ditësh protestë për paga më të larta dhe kushte më të mira pune, minatorët e Spaçit, Mirditë, i kanë dhënë fund demonstratës së tyre, duke vendosur që të ndjekin konfliktin me kompaninë minerare në rrugë ligjore.

Vendimi u mor nga Komisioni i Grevës dhe Këshilli Sindikal, pas një tubimi të zhvilluar në hyrje të rrugës së Spaçit. Minatorët dhe përfaqësuesit sindikalë deklaruan se do të vazhdojnë betejën e tyre deri në plotësimin e 10 kërkesave të paraqitura kompanisë turke “Tete Albania”.

“Duam që grevën ta mbyllim këtu, për t’i hapur rrugë pretendimeve të qeverisë se në kohë greve nuk mund të bëjmë kontrolle. Ne do të vazhdojmë rrugën ligjore dhe punën tonë sindikale pa ndërprerje. Dua t’u falënderoj të gjithëvë për mbështetjen që na keni dhënë në këto 40 ditë protestash,” tha Albert Bushpreni, drejtues i protestës.

Presidenti i Konfederatës së Sindikateve të Shqipërisë, Kol Nikollaj, akuzoi qeverinë dhe institucionet përgjegjëse për mungesën e mbështetjes ndaj shqetësimeve të minatorëve.

“Dua të them se kjo grevë ka nisur për dinjitet dhe do të ngelë gjithmonë në historinë e KSSH dhe punonjësve të Shqipërisë si një rezistencë e pashoqe ndaj padrejtësive dhe abuzimit me punonjësit,” tha Nikollaj.

Tubimi u mbështet edhe nga deputetë të Partisë Demokratike dhe kryebashkiaku i Mirditës, Albert Melyshi, të cilët garantuan mbështetje të plotë deri në zgjidhjen e problemeve të minatorëve.

Pas mbylljes zyrtare të protestave, një përfaqësi e minatorëve, të ndërmjetësuar nga kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, dhe deputeti demokrat, Gjin Gjoni, kanë nisur negociatat me kompaninë “Tete Albania” për rikthimin në punë të minatorëve.

Scroll to Top