Minatorët e Spaçit kërkojnë mbështetje nga Kuvendi

Kuvendi merr rolin e ndërmjetësit për minatorët e Spaçit

“Ne kërkojmë të trajtohemi me dinjitet,” tha Kastriot Prenga, minator me 9 vite përvojë në minierën e Spaçit, duke folur para deputetëve në Komisionin për të Drejtat e Njeriut. Prenga është njëri prej dhjetëra minatorëve grevistë, të cilët prej më shumë se një muaji kërkojnë mbështetjen e shtetit për kërkesat e tyre për paga më të larta, kushte pune të sigurta dhe lejimin nga kompania koncensionare turke për krijimin e sindikatës.

“Greva ka ardhur si rezultat i mospërfilljes sonë nga punëdhënësi,” tha më tej Albert Dushpreni, i shkarkuar nga puna, së bashku me 62 kolegë grevistë, nga kompania koncensionare. “Dy herë të tjera është tentuar ngritja e sindikatës, na është thënë që nuk do ta lejojmë sindikatën,” shtoi ai, duke folur për përpjekjet e tyre të gjata për të bindur punëdhënësin që të krijojë kushte pune dhe pagesa të përshtatshme për punën e rëndë në minierë.

Përfaqësuesit e minatorëve grevistë dhe Kol Nikollaj, kryetari i Konfederatës së Sindikatave, u dëgjuan në komision për problematikat e tyre dhe kërkuan që deputetët të ndërhynin për zgjidhjen e tyre. Ata kërkuan mbështetjen shtetërore dhe akuzuan Inspektoriatin e Punës dhe Ministrinë e Ekonomisë për neglizhencë ndaj kërkesave të minatorëve. Nikollaj theksoi se kërkesa e minatorëve për t’u organizuar në një sindikatë është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare.

“Është një problem që ka agravuar dhe për shkak të indiferencës së segmenteve të caktuara të qeverisë, agjencitë ligjzbatuese të saj, si Inspektoriati i Punës, nuk kanë qenë në lartësinë e detyrës ligjore,” tha më tej Nikollaj. Ai kërkoi gjithashtu që Ministria e Infrastrukturës, si autoritet kontraktor i kontratës koncensionare, të bëjë publike kontratën me kompaninë private, për të cilën minatorët nuk kanë asnjë dijeni, dhe të shqyrtohet nëse kjo kontratë ka nevojë për amendime.

“Minerali i bakrit është katërfishuar në bursë sepse ai shoqërohet me minerale të çmueshme, si ari, zinku e të tjera, dhe këto janë pasuri kombëtare që askush nuk mund t’i posedojë përveç shtetit shqiptar,” tha Nikollaj, duke pretenduar për “ndonjë gabim” në kontratën koncensionare në këtë aspekt.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, u premtoi minatorëve se komisioni do të hartonte raporte për Ministrinë e Ekonomisë dhe për Avokatin e Popullit, bazuar në kërkesat dhe dokumentacionin e dorëzuar nga minatorët, si dhe do të thërriste në dëgjesë përfaqësues të ministrisë. “Do bëjmë ç’është e mundur që t’i shkojmë deri në fund,” u tha ajo minatorëve, duke shtuar se Kuvendi nuk kishte tagër të ndërhynte tek biznesi privat. “Por qeveria mund ta bëjë këtë,” tha ajo, duke u kërkuar kolegëve të mazhorancës që të bashkohen në këtë angazhim.

Edhe përfaqësues të mazhorancës në komision ranë dakord që komisioni të komunikonte me ministrinë përgjegjëse për çështjen. “Nuk ka dyshim që mazhoranca është në mbështetje të minatorëve,” tha nënkryetarja e komisionit, deputetja socialiste Iris Luarasi, në fjalën e saj, ku u përpoq të “shfajësonte” rolin e ministrisë në konfliktin mes grevistëve dhe kompanisë private.

Për kryetarin e grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, qeveria duhet të ndërhyjë për të zgjidhur situatën pasi bëhet fjalë për një pasuri kombëtare që i është dhënë një kompanie private. “Të pushosh qytetarët nga puna për shkak të organizimit sindikal përbën shkelje të hapur të kontratës dhe të legjislacionit,” tha ai, duke kërkuar që Ministria e Ekonomisë të vihet në krah të minatorëve. Sipas tij, kompania private ka detyrim që të respektojë Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Scroll to Top