Gënjeu në CV, jep dorëheqjen ministri rumun i Mbrojtjes: “E përpilova me nxitim bazuar në një model të gjetur në internet”
Ministri rumun i Mbrojtjes, Ionut Mosteanu, ka dhënë sot dorëheqjen, pasi ka pranuar se kishte gënjyer në CV-në e tij lidhur me studimet universitare.
Dorëheqja vjen pas publikimit të një artikulli nga gazeta “Libertatea”, ku thuhej se CV-ja e tij përmbante informacione të pasakta në lidhje me datën e diplomimit dhe universitetin.
Nëpërmjet një reagimi, ministri kërkoi falje dhe pranoi se veprimi i tij ishte i gabuar.
“Në CV-në që e përpilova me nxitim në vitin 2016, duke u bazuar në një model të gjetur në internet, ka një gabim që e pranoj se më shqetëson. Nuk u kushtova vëmendje të mjaftueshme këtyre detajeve në atë kohë,” shkroi ai në Facebook.
Mosteanu u emërua ministër i Mbrojtjes në qershor, kur u formua një qeveri e re pro-evropiane pas muajsh trazirash politike.
Kryeministri Ilie Bolojan tha se në vend të tij do të propozohet që Ministri i Ekonomisë dhe Turizmit të marrë përkohësisht portofolin e Ministrit të Mbrojtjes.
