Hën. Gus 20th, 2018

Ministria e Drejtësisë, Gogu: Vetingu po zbulon shkeljet e panumërta

Në një deklaratë për mediat, zv. ministri i Drejtësisë Toni Gogu sjell në vëmendje rastin e një gjyqtareje në Vlorë për të treguar se vetingu po zbulon shkeljet e panumërta të gjyqtarëve e prokurorëve.

“Procesi i Vetingut, i cili po zbulon në sytë e shqiptarëve pasuri të paimagjinueshme dhe shkelje ligjore të panumërta nga ana e gjyqtarëve e prokurorëve, mund e duhet ta pastrojë deri në fund llumin e mbështjellë me togën e zezë. Prandaj Qeveria do të vazhdojë të mbështesë pa asnjë rezervë organet e reja të kontrollit të ecin me shpejtësi e në thellësi me procesin e Vetingut, duke kaluar në filtër jo vetëm pasurinë, por edhe vendimet haptazi në kundërshtim me ligjin. Mbase gjyqtarë që kanë dhënë e vijojnë të japin vendime të tilla si ky i fundit, mendojnë se do t’ia hedhin thjesht duke ikur nga sistemi, por jo! Pas Vetingut është radha e ndëshkimeve për të gjithë, sepse Vetingu nuk është thjesht pastrimi i llumit nga Pallati i Drejtësisë, po mjeti për të garantuar një sistem drejtësie që të bëjë drejtësi. Për të gjithë e pa dallim”, tha Gogu.

Ai i referohet konkretisht gjyqtares Herila Çela, që sipas tij ka vendosur arrest shtëpie për një person që është kapur nga policia e Vlorës duke udhëtuar i armatosur, ndërkohë që shkelësi i ligjit ishte arrestuar dy herë në harkun kohor të pak muajve.

“Ky shkelës i ligjit, 2 herë i arrestuar nga policia në harkun kohor të pak muajve, lihet përsëri në shtëpi nga Gjykata, falë gjyqtares Herila Çela, e cila nuk e ka për herë të parë shfaqjen në një pozicion tejet shqetësues në raport me ligjin – gjë për të cilën ajo ka qenë edhe më parë subjekt i inspektimit të Këshillit të Lartë Drejtësisë. Sot, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtëisë me shumë urgjencë të hetojë për veprimet e gjyqtares lidhur me rastin. Ne do të ndjekim deri në fund çështjen dhe do të propozojmë pranë KLD marrjen e masave në përpjestim me shkeljen, deri edhe shkarkimin e gjyqtares”, tha ai.

InfoPasqyra/tch

Aktualitet – Top Channel

Kategori