“`html
Ministria e Drejtësisë: Pretendimet për mosveprim në rastin e Ilir Pajës janë të pabaza
Ministria e Drejtësisë ka reaguar lidhur me raportimet mediatike rreth procedurës së njohjes dhe ekzekutimit të vendimit penal italian të dhënë ndaj Ilir Pajës. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, Ministria sqaron se pretendimet për mosveprim, neglizhencë apo vonesa janë të pabëra.
Sipas tyre, faktet zyrtare dëshmojnë se që nga fillimi i procedurës në vitin 2022, Ministria ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme, të dokumentuar dhe pa asnjë vonesë. Gjithashtu, theksohet se çdo kërkesë e Gjykatës së Apelit pranë autoriteteve italiane është përcjellë siç duhet.
Reagimi i Ministrisë së Drejtësisë:
Referuar disa raportimeve mediatike mbi rastin e procedurës së njohjes dhe ekzekutimit të vendimit penal italian ndaj shtetasit Ilir Paja, Ministria e Drejtësisë sqaron mediat dhe opinionin publik se pretendimet për mosveprim, neglizhencë apo vonesa nga ana e institucionit tonë janë kategorikisht të pabaza.
Faktet zyrtare dëshmojnë se, që nga fillimi i procedurës në vitin 2022, Ministria ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme, të dokumentuar dhe pa asnjë vonesë. Kjo përfshin përcjelljen e çdo kërkese të Gjykatës së Apelit pranë autoriteteve italiane, si dhe transmetimin e menjëhershëm të çdo informacioni dhe akti plotësues të mbërritur, në përputhje të plotë me legjislacionin penal vendas dhe detyrimet ndërkombëtare.
Lidhur me këtë rast, bëjmë me dije se procedura e njohjes së vendimit penal italian të dhënë ndaj shtetasit Ilir Paja ka filluar në vitin 2022, pas kërkesës së autoriteteve italiane me referencë: EA-ALBANIA-FM 16/2022, datë 15.11.2022, nga Ministria e Drejtësisë së Italisë.
Me Vendimin Nr. 370 akti, datë 28.03.2023, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i lënë në fuqi me Vendimin Nr. 1340, datë 28.07.2023, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është njohur vendimi penal italian të dhënë në ngarkim të këtij shtetasi, dhe ai është dënuar me 25 vjet e 4 muaj burg.
Në vijim të shqyrtimit gjyqësor, pas ankimimeve dhe rekursit të ushtruara nga ky shtetas, Gjykata e Lartë me Vendimin Nr. 70011-00244-00-2025 Regj.Them., datë 18.09.2025, ka vendosur prishjen e Vendimit Nr. 1340, datë 28.07.2023, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm (i cili kishte lënë në fuqi Vendimin Nr. 370 akti, datë 28.03.2023, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit penal italian të dhënë ndaj këtij shtetasi) dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim pranë së njëjtës gjykatë, me tjetër trup gjykues.
Në përputhje me detyrat e lëna nga Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm i është drejtuar autoriteteve të drejtësisë të Italisë, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, me kërkesën për informacion plotësues lidhur me çështjen penale aktualisht në rishqyrtim pranë kësaj gjykate, me objekt “njohjen e vendimit penal italian të dhënë në ngarkim të shtetasit Ilir Paja”.
- Me shkresën Nr. 28592 Prot., datë 31.12.2025, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm është kërkuar informacion në lidhje me shtetasin Ilir Paja. Kërkesa është dërguar pranë Ministrisë së Drejtësisë së Italisë me shkresën e Ministrisë sonë të Drejtësisë Nr. 61, datë 07.01.2026, si dhe me emailin zyrtar të datës 08.01.2026.
- Me shkresën Nr. 1910 Prot., datë 29.01.2026, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm është kërkuar në mënyrë të përsëritur informacion me të njëjtin objekt lidhur me shtetasin Ilir Paja. Kërkesa është dërguar pranë Ministrisë së Drejtësisë së Italisë me shkresën e Ministrisë sonë të Drejtësisë Nr. 61/2, datë 04.02.2026.
- Me shkresën Nr. 2263 Prot., datë 11.02.2026, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm është kërkuar në mënyrë të përsëritur informacion lidhur me shtetasin Ilir Paja. Kërkesa është dërguar pranë Ministrisë së Drejtësisë së Italisë me shkresën e Ministrisë sonë të Drejtësisë Nr. 61/5, datë 19.02.2026.
Kjo gjykatë ka përcjellë në mënyrë të përsëritur kërkesën për informacion plotësues, kërkesë e cila në çdo rast është dërguar pranë Ministrisë së Drejtësisë së Italisë me postë zyrtare dhe, për shkak të urgjencës, edhe me email zyrtar.
Me shkresën Nr. 983/12 Prot./R.P, datë 20.02.2026, të Prokurorisë së Përgjithshme, jemi informuar mbi Shkurtim-Vendimin Nr. 438 (61010-01328-30-2026) Regj. Them., datë 17.02.2026, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila ka vendosur:
- Pranimin e kërkesës së shtetasit Ilir Paja;
- Revokimin e masës së sigurimit “arrest në burg” të caktuar ndaj këtij shtetasi për efekt të njohjes së vendimit penal italian, me vendimin Nr. 1010 Regj., datë 03.12.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë;
- Caktimin ndaj shtetasit Ilir Paja të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”;
- Lirimin e menjëhershëm të shtetasit.
Ministria e Drejtësisë e Italisë ka përcjellë me emailin e datës 19.02.2026 aktet plotësuese lidhur me këtë shtetas (vetëm në gjuhën italiane), duke theksuar se përkthimi në gjuhën shqipe do të dërgohet sapo të jetë gati. Këto akte janë dërguar pranë autoriteteve të drejtësisë, përkatësisht Gjykatës së Apelit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, me shkresën e Ministrisë së Drejtësisë Nr. 61/9 Prot.A.H, datë 23.02.2026.
Theksojmë se Ministria e Drejtësisë, në zbatim të funksioneve dhe kompetencave të saj bazuar në legjislacionin penal të brendshëm dhe ndërkombëtar, ka komunikuar pa vonesë çdo informacion dhe dokumentacion objekt të kërkesës së Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në lidhje me çështjen e njohjes së vendimit penal italian të dhënë në ngarkim të shtetasit Ilir Paja.
“`
