Hën. Tet 15th, 2018

Ministria e Drejtësisë: Vendimi për Valbonën u dha në kundërshtim me ligjin

Pas denoncimit të InfoPasqyra/tch mbi vendimin e Gjykatës së Tropojës që bëri nul verdiktin e Apelit Administrativ, i cili më herët pezulloi punimet për ndërtimin e disa HEC-eve në Valbonë, ka reaguar edhe ministria e Drejtësisë.

Për këtë rast dikasteri i drejtësisë do të kërkojë inspektim ndaj gjyqtarit Sami Ujkashi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

“Jam vënë në dijeni, ashtu sikurse edhe juve dhe sot ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë të gjitha veprimet në zbatim të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, mbi një vendim që u dha haptazi në kundërshtim me ligjin, po ashtu në do të vazhdojmë të ndërmarrim të gjitha hapat e duhura për rastin konkret që ju flisni”, tha zv. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.

Zyrtari i ministrisë doli para medias për të denoncuar vendimin e gjyqtares së Vlorës Herila Çela, e cila ka dërguar në arrest shtëpiak shtetasin Taulant Beqiraj i prangosur dy herë për armëmbajtje pa lejë.

“Sot, Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me shumë urgjencë të hetojë për veprimet e gjyqtares lidhur me rastin. Ne do të ndjekim deri në fund çështjen dhe do të propozojmë pranë KLD marrjen e masave në përpjestim me shkeljen, deri edhe shkarkimin e gjyqtares”, tha Gogu.

Ky vendim ka sjellë edhe reagimin e Ministrisë se Brendshme, e cila numëroi 18 episode të të prangosurve për armëmbajtje që janë liruar. Pavarësisht marrëdhënieve të mira mes ministrisë dhe prokurorisë, me këtë rast ministria e Brendshme i tërhoqi veshin organit të akuzës që të reagojë për të ndërtuar kulturën e barazisë para ligjit.

InfoPasqyra/tch

Aktualitet – Top Channel

Kategori