Dëmtohet linja e ujësjellësit në Mirditë, mijëra banorë mbeten pa ujë
Një defekt i rëndë në linjën kryesore të furnizimit me ujë ka shkaktuar ndërprerjen e menjëhershme të ujit për rreth 9000 banorë të qytetit të Rrëshenit dhe disa fshatra përreth në bashkinë e Mirditës. Dëmtimi ka ndodhur mëngjesin e së premtes.
Punonjësit e Shërbimit të Ujësjellës-Kanalizimeve kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë konstatuar se bëhet fjalë për një dëmtim serioz në një gjatësi prej 85 metrash të kësaj linje furnizimi. Ky dëmtim kërkon ndërhyrje të specializuar dhe mjete të posaçme teknike.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike në përkeqësim, ndërhyrja rezulton e vështirë dhe me rrezik. Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Lezhë nuk i ka kapacitetet e plota teknike për riparimin e menjëhershëm të këtij defekti, ndërkohë, po punohet për sigurimin e ndihmës së nevojshme për zgjidhjen përfundimtare të situatës.
Gjatë ditës së sotme, përmes zgjidhjeve teknike alternative, është bërë furnizimi i pjesshëm me ujë të pijshëm për qytetin e Rrëshenit. Ndërkohë, disa fshatra vijojnë të mbeten pa ujë të pijshëm.
