Mjedisi në Ballkanin Perëndimor: Gjendja Alarmante dhe Kushti për BE

Mjedisorët: Mbrojtja e mjedisit duhet të jetë kusht për anëtarësimin në BE

Progres-raporti i Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, i publikuar më 4 nëntor, ka vënë në dukje mangësi serioze në gjashtë vendet e rajonit, veçanërisht në lidhje me ruajtjen e zonave të mbrojtura, mbrojtjen e specieve dhe vlerësimin e ndikimit të projekteve në mjedis.

Raporti i BE-së thekson se këto mangësi kanë sjellë degradim të mbrojtjes së natyrës në Shqipëri. Sipas raportit, “Shqipëria nuk ka bërë progres në fushën e mjedisit dhe klimës”. Raporti gjithashtu nxjerr në pah nismën e re “Paketa e Maleve”, e cila mund të krijojë probleme me menaxhimin e pyjeve dhe livadheve, duke hapur rrugë projekteve të mëdha.

Gabriel Schwaderer, drejtues ekzekutiv i fondacionit gjerman mjedisor EuroNatur, u ka bërë thirrje qeverive dhe institucioneve të BE-së që t’i shohin këto gjetje si “flamuj të kuq” dhe jo thjesht si formalitete. “Në Shqipëri, ligjvënësit duhet të tërhiqen nga ndryshimet ligjore mbi zonat e mbrojtura të bëra në vitin 2024 dhe nga projektet që prekin integritetin e tyre,” tha Schwaderer.

Raporti përmend gjithashtu ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri, ndërtimin e aeroportit të Vlorës në peizazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë, si dhe ndotjen industriale në këto zona, si tregues të hapave prapa në procesin e përafrimit me legjislacionin e BE-së.

Bashkimi Europian u bën gjithashtu thirrje vendeve anëtare për zbatimin e direktivave për Zogjtë dhe Habitatet, si dhe për implementimin e rregullave të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe Vlerësimit Strategjik Mjedisor. Kjo do të sigurojë që të gjitha investimet në infrastrukturë të përputhen me detyrimet ndërkombëtare dhe me pjesëmarrjen e publikut në konsultime.

Viktor Berishaj, oficer i politikave pranë EuroNatur, theksoi se BE-ja duhet ta konsiderojë Kapitullin 27 të negociatave si një kriter të panegociueshëm për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Një vend që nuk mbron dot pyjet, lumenjtë dhe jetën e egër, nuk mund të konsiderohet gati për t’iu bashkuar BE-së,” përfundoi Berishaj.

Scroll to Top