Trump i besoi drejtimin e Gazës gjatë rindërtimit / Nikolay Mladenov, diplomati bullgar që pëlqehet nga izraelitët dhe palestinezët
Për një kohë të gjatë, ish-kryeministri britanik Tony Blair u përfol si i preferuari i Presidentit Trump për të “drejtuar” Gazën. Megjithatë, kundërshtimi i thellë midis vendeve arabe i dha fund kësaj ideje. Blair mban një pozicion kyç në bordet e paqes, por nuk do të jetë figura kryesore në terren që do të çojë përpara planin e paqes në Gaza.
Në vend të tij, kjo punë e rëndësishme i është besuar një njeriu më pak të njohur. Nikolay Mladenov, 53 vjeç, ka shërbyer si ministër i jashtëm i Bullgarisë (2010-2012) dhe ministër i mbrojtjes (2009-2010). Ai gjithashtu ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian, duke u përfshirë në grupin politik të Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë.
Presidenti Trump i ka kërkuar atij të mbikëqyrë drejtimin e Rripit të Gazës në terren si Përfaqësues i Lartë për Gazën. Sipas Sky News, Mladenov gëzon mbështetjen e të dyja palëve. Ai respektohet si nga palestinezët ashtu edhe nga izraelitët, të cilët zakonisht janë veçanërisht skeptikë ndaj kujtdo që lidhet me OKB-në. Gjatë kohës së tij në Jerusalem, ai u pa si një diplomat i fortë që la një përshtypje të mirë te figurat kyçe të të dyja palëve.
Në vitin 2021, Presidenti Palestinez Mahmoud Abbas i akordoi Mladenovit Yllin e Madh të Urdhërit të Jerusalemit, në shenjë mirënjohjeje për punën e tij në avancimin e paqes në rajon. Emërimi i tij do të shihet si një fitore për palën palestineze, e cila ishte shumë kritike ndaj Blair dhe kishte shqetësime se emërimet e Trump do të anonin vetëm nga pala izraelite.
Mladenov ka pasur gjithashtu një kontribut të rëndësishëm rajonal në formësimin e Marrëveshjeve të Abrahamit të Trump, procesi i normalizimit diplomatik midis Izraelit dhe vendeve arabe. Ai ka lidhje të ngushta me Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi ka kaluar vitet e fundit në Gjirin Persik, të cilat do të jenë të dobishme dhe të rëndësishme për rindërtimin e Gazës.
Një burim arab shprehu shqetësim se Mladenov rrallë i ka kritikuar hapur izraelitët, por shtoi: “Ai e kupton ligjin ndërkombëtar dhe kufijtë e asaj që mund të bëjë.”
