Akuza për mashtrim në prokurimin publik dhe korrupsion në programet e trajnimit për diplomatët e rinj të BE-së, lirohet Federica Mogherini
Ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, është liruar pas ndalimit të saj të martën pasdite në Belgjikë. Ndalimi ishte pjesë e një hetimi mbi tenderin për krijimin e një kursi pasuniversitar të financuar nga BE-ja për diplomatë të rinj në Kolegjin Evropian në Bruges.
Sipas agjencisë së lajmeve Agi, Mogherini u ndalua së bashku me dy shtetas italianë të tjerë: Ambasadori Stefano Sannino, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) – organi që kishte nisur procedurën e tenderit prej 990,000 eurosh për kursin në vitin 2021-22 në Kolegjin Evropian. Gjithashtu u ndalua edhe Cesare Zegretti, menaxher në këtë kolegj prestigjioz të Bruges.
Akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit Federal në Bruges dhe Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) përfshijnë mashtrim në prokurimin publik, korrupsion, konflikt interesi, shkelje të sekretit profesional dhe konkurrencë të padrejtë.
