Ministrja e Ekonomisë: Task-Forca do të monitorojë tregun e karburanteve çdo ditë, nëse është e nevojshme do të rikthehet Bordi i Transparencës
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahima, ka deklaruar se çmimet e karburanteve po monitorohen nëpërmjet task-forcës së ngritur nga Ministria e Financave. Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj theksoi se monitorimi po vijon në mënyrë ditore.
“Kemi zhvilluar një takim me shoqatën e hidrokarbureve dhe tregtarët kryesorë për të ngritur alarmin për rritjen e çmimeve. Kemi diskutuar për detyrimin që ata kanë për mbajtjen e rezervës, në mënyrë që të mos kalojmë në situatë emergjente. Po monitorojmë çdo 24 orë çmimet në bursë dhe jo vetëm.”
Ajo shtoi se:
- “Kemi pasur eksperiencë gjatë krizës së viteve 2022-2023, kur çmimi i naftës u rrit dhe u ngrit një bord. Aktualisht, nuk vlerësojmë se jemi në fazën ku kemi nevojë për ngritjen e bordit, por nëse situata vijon, do të duhet të hyjmë në këtë regjim.”
- “Ne do të marrim nga administrata doganore çmimet e bursës, të cilat i referohen doganave dhe lëndëve që hyjnë në vend. Ne do të marrim çmimet dhe do të shohim me çfarë çmimi zhdoganohen, duke i krahasuar me çmimet e tregut çdo ditë.”
- “Ky monitorim do të bëhet për të kuptuar se si vijojnë marzhet. Ne nuk mund të ndërhyjmë në çmimet e bursës, por ajo që mund të bëjmë është të monitorojmë në bazë ditore nëse ka abuzime apo spekulime me çmimet”, tha Ibrahimaj.
