Morgan Freeman Punëson Avokatë Për Të Kufizuar Përdorimin E Zërit Të Tij Nga Inteligjenca Artificiale
Aktori fitues i çmimit Oscar, Morgan Freeman, ka marrë masa ligjore për të parandaluar përdorimin e paautorizuar të zërit të tij nga inteligjenca artificiale (IA).
Gjatë një interviste për “CBS Mornings”, kur u pyet lidhur me përdorimin e IA-së për të riprodhuar zërat dhe pamjet e aktorëve, Freeman u shpreh prerë: “Kam punësuar avokatë.” Ai sqaroi se ekipi i tij ligjor po punon aktualisht për të kufizuar çdo përpjekje të paautorizuar për të përdorur zërin e tij, ndërsa fenomenet e tilla vazhdojnë të shfaqen.
Aktualisht, Morgan Freeman po promovon serialin dokumentar të Netflix, “Dinosaurët”, i cili u realizua me ftesë të regjisorit legjendar Steven Spielberg. Në këtë projekt, aktori kontribuon me narracionin e tij karakteristik.
Duke folur për tonin e tij të veçantë, Freeman theksoi se ky nuk është thjesht një atribut natyral, por rezultat i studimit dhe përkushtimit. “Shkova në shkollë dhe studiova vokal dhe recitim,” u shpreh aktori, duke nënvizuar se zëri i tij është produkt i trajnimit profesional dhe praktikës shumëvjeçare.
Qëndrimi i Freeman vjen në një kohë kur përdorimi i inteligjencës artificiale për të klonuar zëra dhe imazhe po ngre debate të forta ligjore dhe etike në industrinë e argëtimit.
