Die. Dhj 16th, 2018

Mosdekretimi i Lleshajt, Balla: Presidenti shkeli Kushtetutën

TIRANË, 9 nëntor. – Kryetari i grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla i ftuar në emisionin “Java” në RTSH, theksoi se Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shkelur kushtetutën përsa i përket mosdekretimit të gjeneral Sandër Lleshajt.

I pyetur nga analistët rreth mosdekretimit të Lleshajt, Balla shprehu habinë me qëndrimin e Presidentit Meta, duke theksuar se ky i fundit nuk e ka një kompetencë të tillë.

“Kemi ndjekur para 18 muajsh momentin, kur Presidenti i Republikës së asaj kohe, zoti Nishani shqyrtonte propozimin e mazhorancës së asaj kohe, kur PS dhe LSI ishin në koalicion dhe zoti Meta ishte kryetar i Kuvendit. Jam i habitur nga qëndrimi i Metës, sepse kur zoti Meta ishte Kryetar i Kuvendit mendonte se Nishani nuk kishte të drejtë që të kthente propozimin e asaj kohe, pasi mendonte se Presidenti nuk e kishte këtë të drejtë. Tani që zoti Meta është vetë President i Republikës mendon se i ka këto të drejta. Unë besoj se edhe vetë Presidenti Meta e vetëkupton që është në shkelje të Kushtetutës, nuk e ka pasur Presidenti këtë të drejtë as në ndryshimet kushtetuese në vitin 2008, kur kishim një President më të fortë institucionalisht. Dialogu dhe konsensusi i vitit 2008, një nga gjërat që preku ishte diminuimi i kompetencave të Presidentit. Presidenti i Republikës nuk e ka këtë të drejtë”, – theksoi Balla.

Kreu i Grupit të PS, bëri me dije gjithashtu se gjenerali Sandër Lleshaj i plotëson të gjitha kriteret për të qenë në një post të tillë, duke shtuar se ky i fundit është ndër të vetmit në rang republike që ka një certifikatë të lartë të sigurisë të lëshuar nga NATO.

“Të gjithë bien dakord që nuk ka asnjë kriter për të qenë deputet që zoti Lleshaj nuk e plotëson dhe këtu përfundon e gjithë biseda. Është e vërtetë që Presidenti bën një vlerësim, por vlerësimi është i përcaktuar vetëm në kriteret që duhet të përmbushë dikush që ka mbushur 18 vjeç, që mund të zgjidhet deputet i Republikës së Shqipërisë. Sigurisht që është dhe moment i dekriminalizimit, por nuk është ky rasti. Zoti Lleshaj është një ose i vetmi ndoshta nga qytetarët shqiptarë që siguron një nga certifikatat e nivelit më të lartë të sigurisë së NATOS dhe si i tillë gëzon vlerësimin e gjithë partnerëve tanë më të rëndësishëm. Kryeministri e ka ripropozuar, unë do t’i bëja thirrje Presidentit që t’i jepte mundësinë Kuvendit që në seancën e radhës ne të kishim mundësi që të votonim duke vijuar punën normalisht duke ju bashkuar edhe apelit të dy partnerëve tanë të rëndësishëm si SHBA dhe BE”, – shtoi ai.

Në fjalën e tij përballë analistëve dha gazetarëve, Balla u pyet edhe rreth dorëheqjes së ish- ministrit Fatmir Xhafaj.

Sipas Taulant Ballës, vendimi i Xhafajt ishte personal, duke theksuar se nën drejtimin e tij, Policia e Shtetit e çoi punën e saj në një tjetër nivel.

“Më vjen mirë për vlerësimin që bëni ju, në të kundërt të një vlerësimi që janë përpjekur të bëjnë një pjesë tjetër analistësh apo dhe opozita, e cila si gjithmonë bëhet edhe më qesharake kur thotë që largimi i zotit Xhafaj erdhi si pasojë e betejës së Lulëzimit dhe të shokëve të tij në SHQUP. Zoti Xhafaj ka dhënë një dorëheqje personale, për të cilat unë dua të ndaj të njëjtin vlerësim me ju, që zoti Xhafaj në krye të Ministrisë së Brendshme, në më shumë se 12 muaj në këtë mandat qeverisës, ka bërë një punë të shkëlqyer në drejtim të disa nga prioriteteve tona të këtij mandati, që kanë të bëjnë me sigurinë publike, krimin e organizuar dhe pastrimin e hartës së Shqipërisë nga fenomeni i kanabisit”, – u shpreh Balla.

Balla vijoj më tej duke thënë se “rezultatet në fund të vitit 2017 dhe tashmë në fund të vitit 2018, në të cilat ka qenë Xhafaj në krye të kësaj Ministrie, janë të patjetërsueshme dhe të konfirmuara nga BE që thonë shumë qartë që Shqipëria nuk është më një burim i rrezikshëm i lëndëve narkotike, dhe këtu i referohem raportit të Guardia di Finanza, e cila për vitin 2017 dhe 2018, konfirmoi një rënie drastike të kultivimit dhe një punë intensive për kapjen e kanabisit të kultivuar prej kohësh. Kur bëhet fjalë për rendin publik, statistikat e EUROSTATIT janë të qarta. Vrasjet janë në nivelin më të ulët. Zoti Xhafaj e ngriti nivelin e punës së Policisë së Shtetit në një nivel të paparë më parë, me rezultate konkrete në bashkëpunim mes Policisë, Prokurorisë dhe SHISH, e cila ka munguar më përpara. Por përsëri dua t’ju them se vendimmarrja e Xhafajt ka qenë personale dhe e pandikuar nga askush. Zoti Xhafaj nuk ka ikur nga politika, ai ka ikur nga detyra e ministrit, por ai do të jetë aktiv, si një prej deputetëve më të rëndësishëm të grupit të PS”, – përfundoi Balla.

/e.caushi/

Kategori