Parashikimi i motit për sot: Zymtësi dhe shi
Ditën e sotme, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, por me intervale të shkurtra kthjellimi (diell) gjatë orëve të mesditës.
Reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët deri mesatar priten të jenë prezente që prej orëve të para të 24-orëshit deri në mëngjes, në pjesën më të madhe të vendit. Në qendër dhe në jug, priten reshje shiu me intensitet deri të lartë, në formën e shtrëngatave dhe lokalisht breshër.
Gjatë ditës, reshjet do të jenë të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit. Në perëndim dhe veri, reshje të herëpashershme shiu me intensitet mesatar deri të lartë dhe shtrëngata të shkurtra. Në zonën e Alpeve, reshje bore me intensitet mesatar.
Në relievet malore në verilindje-lindje dhe juglindje, në lartësitë mbi 1000-1100 metra, priten reshje bore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë nga drejtimi juglindje-jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era do të arrijë shpejtësi deri në 16 m/s. Valëzimi në det do të jetë i forcës 4-5 ballë.
