Moti i Keq: Evakuime, Rrugë të Bllokuara e Ndërprerje Energjie

Evakuime, rrugë të bllokuara dhe zona pa energji: Situata e fundit nga moti i keq

Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin që nga orët e para të ditës së sotme kanë shkaktuar probleme në disa zona. Strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

EVAKUIME

Për shkak të ujit në banesa, një familje prej 5 anëtarësh është evakuuar nga ekipet e Forcave të Armatosura në fshatin Dukagjin i Ri, njësi administrative Thumanë. Në njësinë administrative Zejmen, si pasojë e vërshimit të përrenjve të Prullit dhe Pllanës, ka prani uji në 4 banesa. Banorët janë akomoduar përkohësisht nga strukturat vendore. Forcat e emergjencave kanë kryer tërheqjen e ujit dhe pastrimin fillestar të ambienteve të prekura.

SITUATA SIPAS QARQEVE

Qarku Durrës

  • Bashkia Durrës: Vijon puna në terren për eliminimin e pasojave të reshjeve në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm.
  • Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.
  • Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.

Qarku Dibër

  • Situata paraqitet e qetë, përveç mungesës së energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën.
  • Grupet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.

Qarku Lezhë

  • Bashkia Kurbin: Vijon puna për normalizimin e situatës në Mamurras dhe fshatrat Gjorëm, Zhejë dhe Fushë Mamurras.
  • Në fshatin Shpërdhe, rruga është dëmtuar nga ujërat e lumit Droje.
  • Puna vijon edhe në segmentin Skuraj–Gallatë–Vinjollë, i cili mbetet i bllokuar për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Vinjollë.
  • Nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kuotave.

Qarku Kukës

  • Ka rënie inertesh në disa akse rrugore, dhe kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin e tyre.
  • Segmenti Vranisht–Fajza (njësia Fajza, bashkia Has) është dëmtuar si pasojë e reshjeve.

Qarku Shkodër

  • Bashkia Shkodër: Vijon pastrimi i inerteve në segmentin Gimaj–Bregu i Lumit (njësia Shalë) nga trupat e FA dhe punonjësit bashkiakë.
  • Segmenti Ndërlysë–Breg Lumi mbetet i bllokuar; po punohet për hapjen e tij.

Qarku Elbasan

  • Nuk ka raportime për probleme të tjera, përveç rënies së inerteve në segmentet Elbasan–Librazhd dhe Elbasan–Rrogozhinë, të cilat po pastrohen nga operatorët e mirëmbajtjes.

SITUAATA ENERGJETIKE

Ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë në:

  • disa fshatra të njësisë administrative Rubik (Mirditë),
  • fshatrat Torocish, Kukës, Berishë dhe Lekbibaj të Tropojës,
  • njësitë Kurvelesh, Zagori, Luftinjë dhe Dropull i Poshtëm (Qarku Gjirokastër),
  • disa njësi administrative të Qarkut Korçë.

Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen probleme.

Scroll to Top