Moti i keq në Vau të Dejës: Lumi Glinë rrezikon të dalë nga shtrati
Strukturat vendore të Mbrojtjes Civile kanë dhënë detaje mbi situatën në qarkun Shkodër si pasojë e motit të keq. Në Bashkinë e Vau të Dejës ka pasur përmbytje në disa banesa, ndërsa lumi Glinë rrezikon të dalë nga shtrati.
“Në pesë bashkitë e Qarkut Shkodër (Shkodër, Malësi e Madhe, Vau Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz) vijojnë reshje shiu, kryesisht me intensitet të lartë.
- Në bashkinë Fushë Arrëz raportohen rënie gurësh dhe inertesh në rrugë rurale, si dhe prezencë uji në akse rrugore.
- Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë: Nga rreth 150 mm reshje shiu shumë intensive në 24 orët e fundit, deri tani nuk janë konstatuar probleme në kanalet kryesore të kullimit, në argjinaturat mbrojtëse apo në digën e rezervuarit Shtoder. Situata po ndiqet në terren nga punonjësit dhe do të ndërhyhet në rast konstatimi problematikash.
- Bashkia Shkodër: Në njësinë administrative Gur i Zi (qendër) po merren masa për pastrimin e urës dhe të përroit që ka shkaktuar problematika; janë vënë në dispozicion edhe mjete shtesë për ndërhyrje.
- Bashkia Vau Dejës: Raportohen përmbytje banesash në njësitë administrative Bushat, Vau Dejës dhe Hajmel, sipas raportimeve të deritanishme. Lumi Glinë rrezikon daljen nga shtrati dhe për pasojë rrezikon përmbytjen e 1/3-s së territorit të qytetit. Gjendja vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga të gjitha strukturat përkatëse”, thuhet në njoftim.
