Mozart 4-vjeçar: Letra e rrallë nxjerr në pah talentin e tij

Mozart 4-vjeçar: Një letër e rrallë nxjerr në pah talentin e tij të hershëm

Një Wolfgang Amadeus Mozart katërvjeçar ulet në një tavolinë, zhyt stilolapsin në bojë dhe, me një përkushtim të dukshëm, kompozon një koncert për piano. I ati i tij, duke shqyrtuar kompozimin, shpërthen në lot nga aftësia e jashtëzakonshme e djalit të tij.

Kjo skenë emocionuese përshkruhet në një letër të një miku të familjes Mozart. Letra bën pjesë në një koleksion prej 12 dokumentesh të cilat “Fondacioni Ndërkombëtar Mozarteum” në Salzburg i mori si dhuratë nga një familje koleksionistësh nga Këlni, Gjermani.

“Nuk do të kishim mundur ta blinim këtë koleksion”, ka deklaruar Ulrich Leisinger, drejtor akademik i “Fondacionit Mozarteum”. Dokumentet e familjes Mozart, marrë nga koleksioni i Hans Joachim Eggers, përfaqësojnë shtesën më të rëndësishme për arkivin e “Mozarteum” në 100 vitet e fundit.

Hans Joachim Eggers, një virolog i ndarë nga jeta në vitin 2016, i kishte kushtuar 30 vite për të ndërtuar koleksionin më të pasur privat të Mozartit në Gjermani. Trashëgimtarët e tij, duke respektuar dëshirën e tij, kanë vendosur t’ia kalojnë këto vepra fondacionit.

Me këtë blerje, fondacioni zotëron tani koleksionin më të madh në botë të dokumenteve origjinale të Mozartit. Ky koleksion përfshin më shumë se gjysmën e të gjitha dokumenteve të njohura të familjes Mozart, duke përfshirë rreth 200 letra origjinale të shkruara nga vetë kompozitori.

Dokumentet e reja do të jenë të ekspozuara në shtëpinë e kompozitorit të madh në qytetin austriak deri më 1 shkurt.

I lindur në Salzburg në vitin 1756, Mozart konsiderohet si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të periudhës klasike.

Scroll to Top