Elon Musk i dërgon mesazh Ursula von der Leyen: Udhëheqësja e BE duhet të zgjidhet me votë, jo të emërohet
Elon Musk ka hapur një front të ri me Brukselin, duke vënë në dyshim legjitimitetin demokratik të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ai argumenton se ajo duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët e BE-së, “nëse Evropa dëshiron të mbrojë demokracinë e saj”.
“Nëse demokracia është baza e lirisë, atëherë sigurisht pozicioni juaj si udhëheqëse e BE-së duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”, shkroi Musk nën një postim të von der Leyen në platformën X.
Në një postim të mëvonshëm, kreu i Tesla-s dhe SpaceX-së shtoi se “udhëheqësja e BE-së” duhet të zgjidhet nga qytetarët e Bashkimit Evropian, “dhe jo të emërohet nga një komision”.
Musk reagoi ndaj prezantimit të iniciativës “Mburoja për Demokracinë” nga ana e Ursula von der Leyen. Kjo është një strategji e re e BE-së që synon të forcojë mbrojtjen kundër ndërhyrjeve të huaja në internet, duke përfshirë edhe proceset zgjedhore.
