Muze, Parkim Nëntokësor Sheshi “Nënë Tereza”

Vendimi: Muze nëntokësor dhe parkim tek sheshi “Nënë Tereza”

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme, ka vendosur që Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) të jetë autoriteti kontraktor për kryerjen e procedurave të prokurimit publik lidhur me projektin e rehabilitimit të sheshit “Nënë Tereza”. Projekti përfshin ndërtimin e një muzeu arkeologjik nëntokësor dhe një parkimi nëntokësor.

Sipas vendimit, FSHZH do të menaxhojë të gjitha procedurat e prokurimit publik në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë lidhjen e kontratave për projektimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e punimeve. Gjithashtu, FSHZH do të paraqesë kërkesat për lejet e zhvillimit dhe të ndërtimit në emër të institucioneve publike përfituese pranë autoritetit kompetent të territorit dhe do të ndjekë të gjitha veprimet dhe procedurat e nevojshme.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

Vendim për ngarkimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, për realizimin e projektit “Ndërtimi i Muzeut Arkeologjik nëntokësor, parkimi nëntokësor dhe rehabilitimi i sheshit “Nënë Tereza””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi:

  • 1. Ngarkohet Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për realizimin e projektit “Ndërtimi i muzeut arkeologjik nëntokësor, parkimi nëntokësor dhe rehabilitimi i sheshit “Nënë Tereza””.
  • 2. Në funksion të zbatimit të projektit të përcaktuar në pikën 1, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngarkohet të kryejë:
    • a) Të gjitha procedurat sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur kontratat përkatëse për projektimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e projektit, si dhe të ndjekë zbatimin e tyre dhe të projektit përkatës.
    • b) Paraqitjen e kërkesave për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe të ndërtimit në emër të institucioneve publike përfituese pranë autoritetit kompetent të zhvillimit të territorit, si dhe ndjekjen e të gjitha veprimeve dhe procedurave të nevojshme për këtë qëllim, sipas legjislacionit në fuqi për zhvillimin e territorit.
  • 3. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Bashkia Tiranë mund të lidhin marrëveshje bashkëpunimi në funksion të zhvillimit të projektit të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.
  • 4. Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
  • 5. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkia Tiranë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Scroll to Top