Nafta arrin 214 lekë, qeveria rivendos Bordin e Transparencës; Ibrahimaj në Top Story: Vendosëm me Kryeministrin, akciza do të ulet me 20%
Qeveria ka marrë vendimin për ngritjen e Bordit të Transparencës pas arritjes së çmimit të naftës në 214 lekë në tregun vendas. Këtë deklaratë e bëri Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një lidhjeje live në emisionin “Top Story” në Top Channel.
“Sapo kam dalë nga një mbledhje e gjatë në Kryeministri, ku morën pjesë kryeministri, ministri i Financave dhe ministri i Energjetikës, për të analizuar në detaje situatën. Duke parë ecurinë e ditëve të fundit dhe ndikimin e zhvillimeve të fundit, kemi vendosur të ngremë Bordin e Transparencës. Bordi ngrihet me vendim të Këshillit të Ministrave,” theksoi Ibrahimaj.
Ajo vijoi duke shpjeguar masat e tjera: “Ne kemi vendosur të ndërhyjmë edhe në çmimin e akcizës duke e reduktuar atë me 20%. Këto janë dy akte që do t’i paraqiten Këshillit të Ministrave. Aktualisht akciza është 40 lekë dhe do të ulet në 20 lekë. Gjithashtu, do të merren parasysh taksat. Për çmimin me shumicë do të vendoset një marzh fitimi prej 3 lekë për litër, ndërsa për çmimin me pakicë, 12 lekë për litër. Përmes këtij mekanizmi, ne garantojmë që çmimet do të jenë të kontrolluara dhe nuk do të ketë abuzime,” deklaroi Ibrahimaj.
“Bordi do të mblidhet sa herë të ketë një ndryshim të qenësishëm të çmimit në bursë, për të përcaktuar çmimet ‘tavan’, mbi të cilat tregtimi nuk do të lejohet. Shkelja e çmimeve të miratuara nga Bordi i Transparencës nga ana e tregtarëve do të penalizohet me pezullimin e licencës,” shtoi ajo.