Nafta rritet sërish: 218 lekë/litër, benzina 181 lekë

Bordi i Transparencës rrit sërish çmimin e naftës, arrin në 218 lekë për litër

Pas një dite rënieje, çmimi i naftës është shtrenjtuar sërish. Gjatë një mbledhjeje të zhvilluar mëngjesin e sotëm, Bordi i Transparencës të Hidrokarbureve ka vendosur rritjen e çmimit të naftës me 15 lekë dhe të benzinës me 6 lekë për tregun e pakicës.

Si pasojë, çmimi i naftës është rritur nga 203 lekë në 218 lekë për litër, ndërsa benzina nga 175 lekë ka shkuar në 181 lekë për litër.

Në mbledhjen e parë të zhvilluar të premten, Bordi i Transparencës kishte vendosur uljen e çmimeve. Nafta, e cila për tetë ditë qëndroi në nivelin 214 lekë për litër, u ul në 203 lekë për litër. Benzina, nga 199 lekë për litër, u ul në 175 lekë për litër.

Megjithatë, çmimet e vendosura hasën kundërshtime nga importuesit e naftës. Në një letër dërguar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ata ngritën shqetësimin për llogaritje të gabuara, të cilat vendosnin çmime nën kosto. Për pasojë, kërkuan mbledhjen e bordit sot për rishikimin e metodologjisë së përllogaritjes, duke paralajmëruar humbje të mëdha dhe detyrimin për të pezulluar furnizimin në të kundërt.

Vendimet e sotme të Bordit të Transparencës për çmimet e pakicës janë:

  • Nafta: 218 Lekë
  • Benzina: 181 Lekë

Çmimet me shumicë sipas Bordit të Transparencës:

  • Nafta: 206 Lekë
  • Benzina: 169 Lekë

Çmimi i gazit nuk ka ndryshuar.

Rritja e çmimit të naftës ka ndodhur edhe në bursat e huaja, për shkak të pasigurisë së krijuar në tregje nga mungesa e furnizimeve nëpërmjet ngushticës së Hormuzit nga iranianët. Në bursat e huaja, nafta u tregtua sot me 112 USD për fuçi, nga 109 USD që ishte dje. Presidenti Donald Trump ka deklaruar se ka rishikuar afatin e ultimatumit për zhbllokimin e ngushticës së Hormuzit nga iranianët, duke lënë afat deri më 6 prill.

Scroll to Top