Nafta shtrenjtohet sërish: 182 lekë/litër në Shqipëri

Nafta shtrenjtohet sërish në pikat e pakicës, arrin 182 lekë për litër

Çmimi i naftës në pikat e shitjes me pakicë ka pësuar sërish rritje, duke arritur në 182 lekë për litër në Tiranë për disa operatorë. Krahasuar me periudhën para fillimit të luftës, çmimi është rritur me 7 lekë për litër.

Vëzhgimi në terren tregon se disa nga kompanitë kryesore, si “Kastrati”, “Bolv” dhe “Elda”, kanë rritur çmimet e shitjes. Për shembull, në një pikë të kompanisë “Kastrati” pranë tregut të Medresë, çmimi ka shkuar në 182 lekë për litër nga 175 lekë më parë, duke shënuar një rritje prej 7 lekësh.

Edhe operatori “Elda” ka pësuar rritje. Ditën e mërkurë, nafta shitej me 179 lekë për litër, ndërsa sot ka arritur në 182 lekë, me një shtesë prej 3 lekësh.

Kompania “Bolv” gjithashtu ka shënuar një rritje çmimi prej 7 lekësh, duke arritur në 182 lekë për litër.

Para fillimit të sulmeve në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në tregun shqiptar ishte 175 lekë për litër. Ky çmim kishte qenë stabil që nga tetori i vitit 2024, pra për më shumë se një vit.

Rreth 4 ditë pas nisjes së sulmeve, të mërkurën, çmimi në tregun e pakicës u rrit me 4 lekë, duke arritur në 179 lekë për litër. Kjo ndryshim u reflektua në disa pika të “Elda” në Tiranë, ndërsa mbeti i pandryshuar në pikat e shitjes në autostradë.

Rritja e çmimit të naftës është vënë re edhe në bursat e huaja. Çmimi i naftës “brent crude” aktualisht është 88.9 USD për fuçi, ndërsa para sulmeve ishte 65 USD për fuçi. Çmimi i naftës së rafinuar, që të premten para sulmit u ble me 700 USD për ton, pas sulmit u rrit në 900 USD për ton. Mbyllja e rafinerisë “Ras Tanura” në Arabinë Saudite për shkak të një sulmi me dron bëri që çmimi i naftës së rafinuar në bursat ndërkombëtare të arrinte në 1,150 USD për ton.

Scroll to Top