Napoli dhe Antonio Konte drejt vitit të tretë, por ekziston një “plan B”
Napoli dhe Antonio Konte po shkojnë drejt vitit të tretë të kontratës së tyre, por klubi nuk dëshiron të ngelë i befasuar nëse marrëdhënia mes tyre prishet. Një situatë e ngjashme ndodhi më parë me Spaletin, i cili, pas fitimit të titullit, vendosi të largohej, pavarësisht opsionit të rinovimit që klubi i ofroi.
Klubi ka identifikuar profilin e një trajneri të mundshëm zëvendësues:
- Duhet të jetë italian.
- Relativisht i ri.
- Me një koncept të qartë dhe proaktiv të lojës.
Preferohet që trajneri të ketë eksperiencë në Serie A, por mund të merret në konsideratë edhe një trajner që ka drejtuar vetëm jashtë Italisë, me kusht që të plotësojë kriteret e klubit dhe të pranojë filozofinë e tij.
Në fokus të takimit mes presidentit Aurelio De Laurentis dhe Konte do të jenë dy tema kryesore: merkatoja dhe gjendja e lëndimeve. Sezoni aktual ka penalizuar Napolin duke i mohuar për muaj lojtarë të rëndësishëm si Lukaku, De Bryjne, Anguisa, Di Lorenco, Rrahmani, Gilmour dhe David Neres.
Megjithatë, aktualisht të dyja palët janë të përgatitura për të vazhduar me “Konte tre”, duke punuar së bashku për të planifikuar të ardhmen. Pavarësisht kësaj, klubi nuk dëshiron të rrezikojë të mbetet i papërgatitur, ashtu siç ndodhi me Spaletin.
Burimi: PANORAMASPORT.AL
