Napoli përballet me Frankfurtin në një ndeshje vendimtare, mes problemeve të shumta
Sonte në mbrëmje, në stadiumin “Maradona”, skuadra e Napolit, drejtuar nga Antonio Konte, do të luajë kundër Eintracht Frankfurt. Ky takim ka një rëndësi të madhe pasi mund të përcaktojë fatin e kampionëve të Italisë në kompeticionet evropiane.
Pas humbjes befasuese në Eindhoven dhe një renditjeje jo të kënaqshme në grup, me vetëm tre pikë dhe një bilanc negativ të golave (4 të shënuar, 9 të pësuar), ndeshja kundër gjermanëve kërkon patjetër një fitore.
Situata për Napolin është e vështirë, pasi trajneri Konte duhet të përballet me një listë të gjatë lojtarësh të dëmtuar, e cila po kthehet në një problem serio. Lukaku dhe De Brojne mungojnë prej kohësh, ndërsa së fundmi në infermieri janë shtuar Gilmour dhe Spinacola. Gilmour do të mungojë me siguri, ndërsa për Spinacolën do të merret një vendim pas stërvitjes përfundimtare.
Pritet rikthimi i Lobotkës në mesfushë për të forcuar stabilitetin, ndërsa në mbrojtje trajneri mund të zgjedhë mes Gutierrez dhe Olivera përkrah Di Lorenzos, Rrahmanit dhe Buonxhornos.
Në mesfushë, përveç Lobotkës, pritet të luajnë Anguissa dhe McTominay. Në sulm konfirmohen Hojlund dhe Politano. E vetmja dilemë mbetet në krahun e sulmit, ku trajneri duhet të zgjedhë mes Elmas dhe Neres.
Konte synon të shfrytëzojë entuziazmin e publikut për të rikthyer besimin te skuadra dhe për të lënë pas zhgënjimin e ndeshjeve të fundit. Eintracht Frankfurt, që ka treguar më shumë efikasitet në Evropë, do të vijë në Napoli me synimin për të siguruar kualifikimin.
Për këtë arsye, takimi pritet të jetë intensiv dhe i balancuar. Për Napolin, kjo ndeshje është më shumë se një sfidë sportive; është një test karakteri për të treguar se titulli kampion nuk ka qenë një rastësi dhe se skuadra e Konte-s ka vendin mes klubeve më të mira të kontinentit.
