NATO Komenton daljen në sipërfaqe të nëndetëses ruse

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë komente ironike në lidhje me raportimet për daljen në sipërfaqe të një nëndetëseje ruse pranë brigjeve franceze, për shkak të një defekti teknik.

Rutte ka deklaruar se gjendja e nëndetëses “Novorossiysk” është simbolike për gjendjen aktuale të flotës detare ruse. Ai shtoi: “Tani, praktikisht, nuk ka mbetur pothuajse asnjë prani detare ruse në Mesdhe. Vetëm një nëndetëse e vetmuar dhe e prishur ruse që kthehet me vështirësi nga patrullimi. Çfarë ndryshimi nga romani i Tom Clancy-it i vitit 1984, ‘Gjuetia për Tetorin e Kuq’. Sot ngjan më shumë me ‘gjuetia për mekanikun më të afërt’.”

Më 9 tetor, Komanda Detare e NATO-s publikoi foto ku shihej një fregatë e Marinës Franceze duke vëzhguar një nëndetëse ruse që kishte dalë në sipërfaqe pranë brigjeve të Bretanjës.

Autoritetet holandeze kanë deklaruar gjithashtu se nëndetësja “Novorossiysk” është tërhequr me rimorkio drejt Detit të Veriut, pas një rrjedhjeje të raportuar karburanti në ngushticën e Gjibraltarit në fund të muajit të kaluar.

Flota e Detit të Zi, të cilës i përket kjo nëndetëse, ka mohuar raportet për rrjedhje karburanti dhe ka pretenduar se dalja në sipërfaqe në Kanal është bërë për të respektuar protokollet ndërkombëtare.

Nëndetësja, e vënë në shërbim në vitin 2014, është pjesë e një grupi nëndetësesh të pajisura me raketa lundrimi Kalibr.

Scroll to Top