Shefi i NATO-s flet në emër të Europës: Mbështet plotësisht sulmet e SHBA ndaj Iranit
Europa “mbështet plotësisht” veprimet e Shteteve të Bashkuara në Iran, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Ai theksoi se politika e Teherani përbën një “kërcënim” për kontinentin evropian, Izraelin dhe rajonin përreth.
Në një intervistë për BBC, Rutte u shpreh se Europa “po ndërmerr realisht veprime”, duke nënvizuar angazhimin e aleatëve në përballjen me situatën e krijuar.
I pyetur nëse kishte dijeni paraprake për sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, ai u përgjigj se nuk diskuton publikisht detaje të tilla. Megjithatë, ai theksoi se ka zhvilluar “shumë biseda” me zyrtarë amerikanë dhe se Uashingtoni dhe NATO “janë në koordinim të ngushtë”.
Sa i përket mundësisë së përfshirjes së forcave të NATO-s në operacione, Rutte ishte i prerë: “Jo, kjo është qartësisht një operacion i udhëhequr nga amerikanët dhe izraelitët”.
Ai shtoi gjithashtu se “ajo që po shohim tani” është se aleatët e NATO-s dhe “miqtë tanë në rajon” po përballen me “sulme të pakontrolluara” nga Irani, ndaj dhe po bëjnë gjithçka që munden në këto rrethana.
Zhvillimet e fundit pritet të ndikojnë më tej në rritjen e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
