Numri dy i NATO-s: Po presim rezultate për sulmin terrorist të Banjskës
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Beta, deklaroi se NATO po pret që përgjegjësit për sulmin e Banjskës të dalin para drejtësisë. Sipas saj, kjo do të shërbejë si parandalim për përsëritjen e ngjarjeve të tilla.
Shekerinska theksoi se kanë marrë garanci nga Beogradi se autorët do të mbahen përgjegjës. “Ne morëm garanci ose një angazhim shumë të qartë nga autoritetet në Beograd se përgjegjësia do të përcaktohet dhe ky do të jetë qëndrimi ynë në të ardhmen,” tha Shekerinska.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një konference në Bruksel këtë javë, u shpreh se ai “ende pret përgjegjësi” për ngjarjet në Kosovë, duke shtuar se presidenti serb i kishte premtuar se do ta përmbushte këtë angazhim dhe se ai priste që kjo të ndodhte së shpejti.
Duke iu referuar kësaj deklarate, Shekerinska sqaroi se kjo tregon qartë që NATO pret nga autoritetet serbe që të nxjerrin rezultate konkrete. Kur u pyet nëse kjo nënkuptonte se deri më tani nuk kishte pasur rezultate në këtë çështje, Shekerinska u përgjigj se pikërisht për këtë arsye Rutte “po bënte thirrje përsëri për përgjegjësi”.
