Ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për të fituar një pozicion vakant si anëtare e kësaj gjykate. Kërkesa e saj vjen pasi gjyqtari Asim Vokshi u shpall fitues më 30 shtator, bazuar në pikëzimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Llagami pretendon se ajo ka marrë votat e nevojshme për të fituar, duke përfshirë një votë që u deklarua e pavlefshme. Ajo ka ngritur pretendime lidhur me këtë votë dhe, pasi ka kërkuar aktet e procedurës së votimit dhe numërimit, i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë me kërkesë për pezullimin e vendimit që shpalli fitues Vokshin.
Gjykatësja Semiramis Hoxholli ka vendosur nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor administrativ dhe mospranimin për shqyrtim të kërkesës për sigurim padie. Kundrejt këtij vendimi mund të ushtrohet ankim në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Llagami kërkon shfuqizimin e vendimit të Gjykatës Administrative dhe kthimin për rigjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, por me një tjetër trup gjykues. Në rast se Gjykata Kushtetuese vlerëson se ka juridiksion, Llagami kërkon shfuqizimin e vendimit për zgjedhjen e Asim Vokshit dhe deklarimin e saj fituese me nëntë vota.
Ajo gjithashtu parashtron kërkesa për pezullimin e zbatimit të vendimit të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Llagami e cilësoi këtë proces si një praktikë të re që po testohet, duke theksuar se deklarimi i pavlefshëm i votës është deformim i vullnetit të zgjedhësit dhe se kjo praktikë do të jetë e dobishme në të ardhmen.
Gjykata Kushtetuese ka informuar se kërkesa për pezullim dhe çështja në tërësi do të shqyrtohen me përparësi.
Ndërkohë, ankimi i Llagamit po sjell vonesa për dekretimin e gjyqtarit Asim Vokshi në Gjykatën Kushtetuese.