Bota e futbollit vajton humbjen e njërës prej ikonave të saj më të suksesshme, Mircea Luçeskut, i cili është ndarë nga jeta.
Trajneri rumun Mircea Luçesku ka vdekur sot në moshën 80-vjeçare në Spitalin e Urgjencës Universitare të Bukureshtit. Ish-trajneri i ekipit kombëtar rumun ishte shtruar në spital që nga 29 marsi, pasi u ndje keq gjatë grumbullimit me Rumaninë në kampin stërvitor të Mogoshoaia, pasi kishte qenë në pankinë në ndeshjen e “play-off”-it të Kupës së Botës kundër Turqisë.
Të dielën e kaluar, ai u transferua në repartin e terapisë intensive pas një infarkti akut të miokardit.
“Spitali i Urgjencës Universitare i Bukureshtit njofton se sot, të martën, 7 prill 2026, rreth orës 20:30 të mbrëmjes (ora lokale), Z. Mircea Luçesku u shpall i vdekur”, thuhej në njoftimin e spitalit.
Mircea Luçesku ishte një nga trajnerët dhe lojtarët më të suksesshëm rumunë të futbollit. Ai ishte i pari që kualifikoi ekipin kombëtar rumun për një Kampionat Europian, në vitin 1984. Ai gjithashtu rezulton të jetë trajneri i tretë me më shumë trofe të fituar në karrierë, plot 35 të tillë, duke u renditur pas vetëm Aleks Fergusonit dhe Pep Guardiolës.
