Ndalohen skuterat elektrikë: Masa të reja sigurie rrugore

Që nga sot, përdorimi i monopatinave, të njohura si skuterë elektrikë, është ndaluar. Ky vendim u bë publik nga ministrja Albana Koçiu, e cila prezantoi rregullat e reja për sigurinë publike lidhur me këto mjete.

Ministrja Koçiu theksoi se janë marrë parasysh ankesat e shumta të qytetarëve, të cilët kanë shprehur shqetësime për rrezikshmërinë që këto mjete paraqesin, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit, si dhe për vetë përdoruesit. Të dhënat nga Policia e Shtetit konfirmojnë këtë problematikë në rritje.

Policisë së Shtetit i është kërkuar të mos lejojë përkohësisht qarkullimin e skuterëve elektrikë në rrugë. Gjithashtu, janë dhënë udhëzime për bizneset që ofrojnë skuterë me qira, duke u këshilluar të mos investojnë më në këtë aktivitet, pasi leja për përdorimin e tyre do të jetë e vlefshme vetëm për përdorim personal, pas përfundimit të procesit të rregullimit.

Plani për hartimin e rregullave të qarta dhe të zbatueshme nga të gjithë, përfshin përcaktimin e korsive rrugore apo hapësirave ku skuterët mund të përdoren, kriteret e moshës, si dhe masat mbrojtëse si kaskat, ndriçimi dhe shpejtësia e lejuar. Deri në finalizimin e kuadrit rregullator, vendimi për ndërhyrje të mëhershme konsiderohet si interes publik.

Shqipëria nuk është e vetmja e përballur me këtë sfidë. Vende si Franca, Italia, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë masa të ngjashme, duke përfshirë bllokime të përhershme apo të pjesshme.

Analizat e sigurisë rrugore kanë nxjerrë në pah problematikat e këtyre mjeteve, të cilat kanë shkaktuar aksidente dhe ngjarje rrugore me pasoja. Një pjesë e madhe e tyre nuk janë të njohura në Kodin Rrugor dhe përdoren gjerësisht nga të miturit. Shifrat alarmante nga Spitali i Traumës, ku paraqiten rregullisht persona të dëmtuar, kanë shtyrë Policinë e Shtetit të veprojë për disiplinimin ose heqjen nga qarkullimi të këtyre mjeteve.

Edhe vende si Franca dhe Britania e Madhe kanë vendosur rregulla strikte dhe gjoba të larta për këtë fenomen.

Leave a Comment

Scroll to Top