Hën. Kor 16th, 2018

Ndërprerje kontratash me subjektet që nuk garantojnë sigurinë në plazh

TIRANË, 11 korrik/ATSH/- Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u dërgoi një letër kryetarëve të bashkive të qyteteve bregdetare, në mënyrë që këta të fundit të marrin masat për stacionet e plazhit pa roje bregdetare.

Ministria e Turizmit bëri të ditur se, sipas një kontrolli në terren që ka bërë Taks Forca ka rezultuar se në një pjesë të plazheve ende nuk kanë marrë masa për sigurinë e plazheve.

Nuk kanë vendosur sinjalistikë me bova për largësinë e lejuar për not, sinjalistikën për zonat që mund të përdoren nga mjetet lundruese, për argëtim. Plazhet nuk janë pajisur me kulla vrojtimi dhe vrojtues plazhesh, etj.

“Ligji është i qartë. Ndërprerje e kontratës për kë nuk zbaton ligjin”. Ministri Klosi në këtë letër ju drejtohet kryebashkiakëve: “Keni përgjegjësinë për zbatimin rigoroz të ligjit për sigurinë në det. Ndërprisni kontratat me subjektet që nuk garantojnë sigurinë në plazhe”, ka thënë Klosi.

Sipas njoftimit zyrtar, megjithëse ka më pak humbje jete në plazhe se vitet e kaluara për të njëjtën periudhë, Klosi ju kërkon vendorëve që të marrin masa si dhe nxit organet hetimore të nxjerrin përgjegjësit për humbjen e 3 jetëve javën e kaluar.

“Nxis procesin e hetimit të çdo rasti të humbjeve të jetëve për të bërë evidentimin e qartë të përgjegjësive ligjore dhe ndëshkimit të tij, nëse kjo ka ndodhur në kushtet e mosplotësimit të kushteve dhe kritereve të përcaktuara me V.K.M “Për sigurinë e jetës në det”, shkruan Klosi.

z.tosku//m.m/

Aktualitet – Agjencia Telegrafike Shqiptare