Ndërtimi i trotuareve në Ksamil dhe rikualifikimi i rrethimeve anësore: Rrugët ku do të ndërhyhet
Bashkia e Sarandës do të kryejë ndërhyrje për ndërtimin e trotuareve për këmbësorët dhe rikualifikimin e rrethimeve anësore në dy rrugë të Ksamilit. Një procedurë prokurimi e hapur së fundmi precizon ndërhyrjet konkrete që do të realizohen.
Rruga “Lefter Talo – Sami Frashëri”
Ndërhyrja në këtë rrugë, me gjatësi 1054 metra, synon ndërtimin e trotuareve dhe rikualifikimin e rrethimeve anësore në rrugët e brendshme, pa prishur infrastrukturën ekzistuese të rrugës.
Sipas dokumentacionit:
- Projekti fillon me zgjerime për të krijuar hapësirë për kalimin e këmbësorëve.
- Parashikohen punime gërmimi, ndërtimi i strukturave prej betoni, transport materialesh dhe sistemimi i zonës për fazën tjetër.
- Do të ndërtohen mure mbajtëse për të krijuar një gjerësi prej 1.5 metra në secilën anë të rrugës.
- Më pas do të kryhen punimet për shtresat e trotuarit sipas profilizimit tip të rrugës dhe mbushje me zhavorr pas mureve mbajtëse.
- Në përfundim, do të ndërtohen mure rrethues me lartësi 70-90 cm, të cilët do të mbulohen me pllaka guri dekorativ.
- Mbi murin rrethues do të vendosen zgara dekorative hekuri me diametër 1 cm dhe peshë specifike 0.79 kg, të pozicionuara çdo 15 cm.
Rruga “Ibrahim Rugova”
Në këtë rrugë, me gjatësi 370 metra, gjithashtu do të ndërtohen trotuare dhe do të rikualifikohen rrethimet anësore. Projekti fillon me zgjerime për të mundësuar kalimin e këmbësorëve.
Fondi limit për këtë procedurë prokurimi është llogaritur në 74.9 milionë lekë, ose rreth 750 mijë euro. Bashkia argumenton se këto ndërhyrje janë të domosdoshme për të sjellë në kushte të përshtatshme rrugët e Ksamilit, një destinacion me potencial të lartë turistik dhe frekuentim të vazhdueshëm.
