Ndihmë ushqimore për 1 milion banorë në Gaza
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) ka shpërndarë ushqim për 1 milion njerëz në Rripin e Gazës.
Sipas një deklarate të publikuar në faqen e organizatës në “X”, UNRWA ka sjellë ushqim të mjaftueshëm për të ushqyer gjysmën e popullsisë së enklavës gjatë ditëve të para të armëpushimit. Organizata ka theksuar se disponon furnizimet, burimet dhe personelin e nevojshëm për shpërndarjen.
UNRWA ka vënë në dukje se me 75 vite përvojë në Rripin e Gazës, ajo zotëron njohuritë, rrjetin dhe planet për të shpërndarë në mënyrë efektive ndihmën në të gjithë rajonin.
Megjithatë, agjencia ka nënvizuar se për të vazhduar shpërndarjen, ajo ka nevojë vetëm për miratimin nga autoritetet izraelite.