Mër. Sht 26th, 2018

Në 8 orë dy vrasje në Mamurras; Deputeti i PS akuza policisë: Do dalim në protestë

Mamurrasi u trondit nga dy vrasje në harkun kohor të 8 orëve. Fillimisht mbrëmjen e së mërkurës një adoleshent u godit për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar, ndërsa mëngjesin e së enjtes, një 27-vjeçar u ekzekutua për hakmarrje.

Vrasja e parë ndodhi pas një loje futbolli mes fëmijësh në Fushë-Mamurras. Sipas informacioneve sherri i çastit përfundoi me përdorimin e një mjeti prerës, i cili i mori jetën 14-vjeçarit.

Policia arrestoi autorin e ngjarjes 15-vjeçar, ndërkohë që në orët e para të së enjtes qyteti i vogël u trondit nga një tjetër krim.

Indrit Pepa, 27 vjeç, u ekzekutua pranë banesës së tij ku dyshohet se u thirr në pritë rreth orës 05 së mëngjesit.

Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim një 49-vjeçar si autor të dyshuar të ngjarjes. Mësohet se viktima disa vite më parë është akuzuar për një plagosje dhe kohët e fundit jetonte jashtë vendit.

Sipas familjarëve të tij, në Gjermani, 27-vjeçarit i ishte refuzuar edhe kërkesa për azil ndërsa autoritetet shqiptare nuk e kishin lejuar të udhëtonte më në zonën Schengen.

27-vjeçari la pas një vajzë 4 vjeçare ndërsa policia po mban në vëzhgim të dyja familjet e përfshira në konflikt nga frika se vrasja mund të pasohet nga ngjarje të tjera të rënda.

Ndërkohë për ngjarjet ka reaguar edhe deputeti i Partisë Socialiste në Kurbin, Gjetan Gjetani.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, thotë se policia është e paaftë dhe e korruptuar. Për këtë situatë deputeti socialist shprehet se do kërkojë interpelancë në Parlament me ministrin e Brendshëm dhe në rast të mos marrje së masave do i kërkojë qytetarëve të Kurbinit daljen në protestë.

InfoPasqyra/tch

Kategori