Mër. Tet 17th, 2018

Në kërkim të komandos. Ende asnjë shenjë nga ushtaraku i vrasjeve në bllok

Policia ende nuk ka asnjë gjurmë të 3 personave të shpallur në kërkim për përplasjen e armatosur në bllok, që përfundoi me një të vrarë dhe dy të plagosur.

Kur kanë kaluar 5 ditë nga ngjarja e rëndë, burime policore nuk përjashtojnë mundësinë që komando Mervjol Bilo të jetë larguar ilegalisht nga Shqipëria, duke shfytëzuar edhe aftësitë e tij ushtarake për mbijetesë, por po sipas burimeve, janë bërë edhe tentativa që 41-vjeçari të vetëdorëzohet.

Në arrati vijojnë të jenë edhe Ervin Mata dhe Fabjol Alushi. Por, komando Bilo nuk është i vetmi ushtarak i përfshirë në ngjarje të rënda vitet e fundit. Në vitin 2015, majori i Forcave të Armatosura Shqiptare, Sokol Feka humbi jetën në Spanjë teksa helikopteri që drejtonte dhe tranportonte hashash nga Maroku u rrëzua gjatë ndjekjes policore.

Dy vite më vonë, në vitin 2017, dy ish-ushtarë profesionistë që kishin shërbyer edhe jashtë vendit me misione paqeruajtëse, u ndaluan si pjesë e një bande të dhunshme që grabisnin makinat e blinduara të bankave që transportonin valutë. Ditjon Memlika dhe Neim Avdulaj u arrestuan si pjesë e grupit të Rinasit që i zinin pritë blindave me para’.

Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen e rëndë të së enjtes së kaluar, përveç ngacmimit të këngetares Elvana Gjata, hetimet janë fokusuar edhe në një pistë të mundshme të prishjes së pazareve të drogës apo borxheve në shuma të mëdha parash, të cilat janë bërë shkak për disa ngjarje zinxhir që përfunduan në përplasje me armë.

InfoPasqyra/tch

Kategori