U dënua me 2 vjet burg, por nëna e autorit të vrasjes së Ilaria Sulës shmang qelinë
Nëna e Mark Samsonit, 23-vjeçarit i akuzuar për vrasjen e ish-së dashurës së tij, shqiptares Ilaria Sula, më 26 mars, është dënuar me dy vjet burg për fshehjen e një kufome. Megjithatë, Nosr Manlapaz nuk do të vuajë dënimin në burg, pasi ka arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë, me një dënim me kusht. Vendimi u miratua nga gjykatësi dy ditë më parë, duke mbyllur kështu një pjesë të hetimit, i cili që në fillim ngriti pikëpyetje rreth përfshirjes së saj.
Gjyqi ndaj Mark Samsonit do të fillojë më 9 dhjetor. Familja Sula shprehet thellësisht e zhgënjyer nga ky vendim. “Për ne, kjo nuk është drejtësi,” tha babai i Ilarisë, Flamur Sula. “Ne u shkatërruam pasi pamë një gjyq që zgjati 5 minuta. Një person që pastroi litra gjak të vajzës sime, gjak që ishte hedhur në tualet… për ne, kjo nuk është drejtësi.”
Sipas hetimeve, vrasja ndodhi në apartamentin e autorit, në Via Homs, në lagjen Africano të Romës. Mark Samson dyshohet se sulmoi Ilaria Sulën, duke e goditur me thikë në qafë të paktën tre herë, duke i shkaktuar shok hemorragjik fatal. Pasi e vrau, ai mbështolli trupin e saj në një qese dhe më pas e vendosi në një valixhe, të cilën e transportoi me makinë në një zonë të pyllëzuar në Poli, ku e braktisi.
Që në fillim, hetuesit dyshuan se djali nuk kishte vepruar vetëm. Të dhënat e telefonit celular të nënës së tij e vendosnin atë në shtëpi gjatë orëve kur ndodhi ngjarja, dhe logjika sugjeronte se ajo mund ta kishte ndihmuar pas krimit. Gjatë një marrjeje të gjatë në pyetje, Nosr Manlapaz, nëna e 23-vjeçarit, pranoi përfshirjen e saj: “E ndihmova të pastronte shtëpinë, të hiqte gjithë atë gjak.” Gruaja përshkroi djalin e saj si të dridhur dhe të frikësuar, dhe momentin kur pa Ilarinë shtrirë përtokë – një imazh që e shtyu të ndërhynte për të pastruar gjurmët dhe për të ndihmuar djalin e saj të fshihte trupin.
Sipas hetuesve, roli i nënës ishte vendimtar në mbulimin e ngjarjes. Ajo ndihmoi në pastrimin e apartamentit dhe në eliminimin e provave kompromentuese. Marrëveshja për pranimin e fajësisë ka zgjidhur pozicionin e saj ligjor, por për familjen e Ilarias mbetet një çështje e pazgjidhur, ndërsa vëmendja kryesore kalon tani në gjyqin që do të përcaktojë përgjegjësinë e plotë të Mark Samsonit.
