Netanyahu: Regjimi iranian nuk duhet të pajiset me armë bërthamore
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në deklaratën e tij të parë pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, bëri thirrje për ndryshim të regjimit në Teheran.
Netanyahu iu drejtua popullit iranian, duke i nxitur ata të “heqin zgjedhën e tiranisë dhe të sjellin një Iran të lirë dhe të paqësor.” Ai shtoi se “veprimi ynë i përbashkët do të krijojë kushtet që populli trim iranian të marrë fatin e tij në duart e veta.”
Kjo nuk është hera e parë që Netanyahu bën thirrje për veprim kundër regjimit iranian. Gjatë luftës 12-ditore me Iranin në qershor, ai gjithashtu i kishte nxitur iranianët të ngriheshin kundër regjimit.
Në fillim të deklaratës së tij, Netanyahu falënderoi Presidentin Donald Trump për udhëheqjen e tij historike.
“Falënderoj mikun tonë të madh, Presidentin Donald Trump, për udhëheqjen e tij historike. Për 47 vjet, regjimi i Ajatollahëve ka thirrur ‘Vdekje Izraelit’, ‘Vdekje Amerikës’. Ai ka derdhur gjakun tonë, ka vrarë shumë amerikanë dhe ka masakruar popullin e vet. Ky regjim terrorist vrasës nuk duhet të lejohet të pajiset me armë bërthamore, të cilat do t’i mundësonin të kërcënonte të gjithë njerëzimin,” tha Netanyahu.
Ai vijoi duke thënë:
“Vëllezërit dhe motrat e mia, qytetarë të Izraelit, pak kohë më parë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nisën një operacion për të hequr kërcënimin ekzistencial që paraqet regjimi terrorist në Iran. Falënderoj mikun tonë të madh, Presidentin Donald Trump, për lidershipin e tij historik. Për 47 vjet, regjimi i Ajatollahëve ka bërtitur ‘Vdekje Izraelit’, ‘Vdekje Amerikës’. Ka derdhur gjakun tonë, ka vrarë shumë amerikanë dhe ka masakruar popullin e vet. Ky regjim terrorist vrasës nuk duhet të jetë i armatosur me armë bërthamore, të cilat do t’i lejonin të kërcënonte të gjithë njerëzimin. Veprimi ynë i përbashkët do të krijojë kushtet që populli i guximshëm iranian të marrë fatin e tij në duart e veta.”
Netanyahu theksoi se ka ardhur koha që të gjitha segmentet e popullit iranian – persianët, kurdët, azerët, balukët dhe ahvazët – të hedhin poshtë zgjedhën e tiranisë dhe të sjellin një Iran të lirë dhe paqësor.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve izraelitë të dëgjojnë udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm, duke shtuar se në ditët në vijim, në Operacionin ‘Vrumbullima e Luanit’, të gjithëve do t’u kërkohet të kenë durim dhe guxim. “Së bashku do të qëndrojmë, së bashku do të luftojmë dhe së bashku do të sigurojmë përjetësinë e Izraelit,” përfundoi ai.
