Mër. Dhj 19th, 2018

Ngjarja në Bulqizë, mjekët nga Tirana shpëtuan jetën e nënës shtatzënë

TIRANË, 7 dhjetor.-Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar pas lajmit të vdekjes së trinjakëve, duke sqaruar opinionin publik se ekipi i mjekëve ka shpëtuar jetën e 31-vjeçares.

“Nëna me inicialet E.R. 31 vjeç është paraqitur në spitalin e Bulqizës në orën 12:00 të ditës së sotme. Nëna e re është asistuar për lindjen e trenjakëve me moshë barre të parakohshme 24 javëshe. 31-vjeçarja është asistuar për lindjen e fëmijës së parë nga mjeku i përgjithshëm Fatos Hoxha dhe dy mami të maternitetit të Bulqizës. Për shkak të komplikacioneve, menjëherë është njoftuar ekipi i urgjencës kombëtare mjekësore dhe është nisur nga Tirana një ekip i specializuar nga Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” me helikopterin e Urgjencës Kombëtare. Brenda 20 minutash, helikopteri me ekipin e specializuar nga Tirana ka mbërritur në spitalin e Bulqizës. Mjekët e specializuar të maternitetit të Tiranës kanë asistuar dy lindjet e tjera dhe kanë shpëtuar nënën e re, e cila rrezikonte jetën”, -thuhet në njoftimin zyrtar.

Më tej, MSH sqaron se “për shkak të moshës së vogël të barrës (24 javë është e papajtueshme me jetën), trenjakët nuk kanë mundur të mbijetojnë, ndërsa nëna tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe në këto momente është nën kujdesin e mjekëve”. /j.p/

Kategori