Flet kushëriri i familjes për ngjarjen në Durrës, ku babai plagosi vajzën
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në Durrës, ku një baba plagosi vajzën e tij me thikë.
Një i afërm i familjes Ndoji ka deklaruar se “ky person ka qenë gjithmonë tip problematik, konsumonte alkool dhe ushtronte dhunë në familje”.
“U divorcua nga gruaja për shkak të këtyre problemeve dhe iku jashtë shtetit, në Itali, ku bëri dy vite burg për trafik lëndësh narkotike. Ka pak kohë që ka dalë nga burgu dhe donte të kthehej sërish me ish-gruan, por vajza e tij nuk donte, pasi e dinte se çfarë njeriu ishte. Prandaj dhe ai e plagosi”, ka thënë i afërmi i familjes për A2cnn.
Policia e Durrësit arrestoi 57-vjeçarin Mikel Ndoji, i cili paradite plagosi me thikë vajzën e tij Xhesika Ndoji, 24 vjeç.
Përveç të bijës, ai plagosi edhe dy persona të tjerë që tentuan t’i vinin në ndihmë vajzës.
Dy të plagosurit e tjerë, sipas dëshmitarëve në vendngjarje, janë punonjës të një agjensie imobiliare që kanë tentuar të ndërhyjnë kur kanë parë që babai po godiste me thikë vajzën.
Sipas policisë, të plagosurit janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën, edhe pse kanë marrë disa goditje me thikë.
