Nis aplikimi për kompensim TVSH për 114 mijë fermerë

Nisin aplikimet në e-Filing për kompensimin e TVSH-së për rreth 114 mijë fermerë

Sot nisin aplikimet për përfitimin e kompensimit të TVSH-së për fermerët, nëpërmjet autofaturave të lëshuara nga grumbulluesit, përpunuesit apo agroturizëm i certifikuar. Sipas të dhënave të administratës tatimore, numri total i fermerëve të pajisur me NIPT është 113,470.

Pas aplikimit, masa e kompensimit të TVSH-së për fermerët do të llogaritet drejtpërdrejt në bazë të vlerës së autofaturave që përpunuesi apo grumbulluesi ka lëshuar për fermerin si blerës të produkteve bujqësore. Skema për aplikimin e përfitimit të TVSH-së te fermerët do të jetë e ngjashme me aplikimet e kompensimit për arsimin e fëmijëve, pas zbritjes së shpenzimeve në DIVA.

Sipas një udhëzuesi të publikuar nga administrata tatimore, fermerët e pajisur me NIPT, fillimisht duhet të identifikohen në e-Filing tek menuja “Çështje e re”, duke zgjedhur kërkesën “Për rimbursim të fermerëve”. Pas hyrjes në e-Filing, fermerët duhet të plotësojnë në rubrikën “Detajet e bankës” të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN.

Pas plotësimit të kërkesës, në sistem fermerit do t’i shfaqen autofaturat e periudhës janar-qershor, të cilat duhet të identifikohen nga fermeri. Pas identifikimit të autofaturave, sistemi do të llogarisë automatikisht shumën totale të autofaturave dhe shumën e përfitimit prej 10%. Po ashtu, sistemi kontrollon afatin, faturat dhe llogarinë para se ta pranojë. Kërkesa do të marrë statusin “Në proces”. Përgjigjen e kërkesës fermeri e gjen te menuja “Të dorëzuara”. Me kërkesë të Administratës Tatimore mund të bashkëngjiten edhe dokumente shtesë, sipas informacionit të kërkuar.

Theksojmë se për të përfituar kompensimin, fermeri duhet të jetë i pajisur me numër identifikimi (NIPT) nga Administrata Tatimore, pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH-së. Qarkullimi vjetor nuk duhet të tejkalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH.

Në vend të kësaj, fermerët që shesin produktet e tyre bujqësore/blegtoralë, nuk bëhen automatikisht subjekt i TVSH-së (pra nuk regjistrohen për TVSH) nëse qarkullimi i tyre vjetor është deri në 10 milionë lekë. Nëse qarkullimi kalon 10 milionë lekë, fermeri duhet të regjistrohet si subjekt i TVSH-së (tatimpagues i zakonshëm).

Nëse fermeri rezulton të jetë i regjistruar me TVSH, aplikimi i tij në këtë rast do të bllokohet. Aplikimi do të bllokohet edhe për rastet kur fermeri nuk zgjedh faturat e shfaqura në sistem, nuk jep të dhënat e llogarisë bankare me numrin IBAN, nëse rezulton me status pasiv në tatime apo aplikon pas përfundimit të afatit.

Qëllimi i kësaj skeme është të rimbursojë 10% të TVSH-së që fermeri ka paguar për inputet bujqësore, si plehrat kimike, farat dhe fidanët, duke ulur kostot e prodhimit dhe duke nxitur formalizimin e transaksioneve në sektor. Prej vitit 2019 deri në dhjetor 2021 TVSH-ja për inputet bujqësore ka qenë zero. Nga 1 janari 2022, pas miratimit të ndryshimeve fiskale, hyri në fuqi vendosja e TVSH-së 10% te çmimet e inputeve bujqësore. Megjithatë, Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit më herët ngriti shqetësimin se rreth 70% e qumështit të shitur te përpunuesit bëhet pa autofaturë.

Scroll to Top