Novi Sad: Një vit pas tragjedisë, thirrje për dialog

Një vit nga tragjedia në Novi Sad, Vuçiç bën thirrje për dialog me protestuesit.

Sot, Serbia shënon njëvjetorin e tragjedisë në Novi Sad, ku 16 persona humbën jetën dhe një u plagos rëndë. Përkujtimet po mbahen në disa qytete, ndërsa ceremonia kryesore dhe më e madhja zhvillohet në vendin e ngjarjes, në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.

Mbrëmjen e kaluar, rreth 5,000 studentë dhe qytetarë nga të gjitha anët e Serbisë marshuan drejt Novi Sadit për të marrë pjesë në takimin përkujtimor. Para hyrjes në qytet, studentët u përballën me një grup individësh të veshur me të zeza, të cilët, sipas dëshmitarëve, synonin t’i sulmonin. Megjithatë, qytetarët i larguan ata.

Pas mbledhjes pranë Stacionit Hekurudhor, qytetarët dhe studentët do të mbajnë një minutë heshtje për çdo viktimë. Para stacionit, njerëzit po ndezin qirinj, vendosin lule dhe nderojnë kujtimin e viktimave të shembjes së kupolës vitin e kaluar. Homazhet po zhvillohen në mënyrë paqësore.

Disa grupe studentësh nga e gjithë Serbia kanë mbërritur në këmbë ose me biçikleta për të marrë pjesë në këtë tubim të madh përkujtimor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një fjalim drejtuar publikut në prag të përvjetorit, u shpreh se dëshiron që dita të kalojë në paqe dhe me respekt për viktimat. Një ditë para zhvillimit të tubimit mbarëkombëtar në Novi Sad, Presidenti serb foli për unitet dhe dialog në një mesazh të shpërndarë me këtë rast.

“Le të jetë dita e nesërme një ditë që na bashkon, jo një ditë që na ndan. Një ditë kur do të bashkohemi në dhimbjen e familjeve dhe do të tregojmë respektin dhe dashurinë tonë për ta. Jo një ditë që secili prej nesh do ta përdorë për përfitime politike personale. Dhe pas nesërme, le të përpiqemi sërish për dialog në shoqëri. Ata që duan të protestojnë, le të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Por me më shumë respekt për bashkatdhetarët e tyre që mendojnë ndryshe”, deklaroi Vuçiç.

Scroll to Top