Raporti i OBSH: Një në tre gra në botë kanë përjetuar dhunë në një moment të jetës
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) publikoi sot, të mërkurën, më 19 nëntor, një raport tronditës mbi përhapjen e dhunës ndaj grave në mbarë botën. Sipas raportit, situata përshkruhet si një nga krizat më të thella dhe më pak të trajtuara të të drejtave të njeriut.
OBSH raporton se rreth 840 milionë gra, ose pothuajse një në tre, kanë përjetuar dhunë fizike apo seksuale në një moment të jetës së tyre. Kjo dhunë mund të ketë qenë ushtruar nga partneri i tyre, apo nga persona të tjerë.
“Dhuna ndaj grave mbetet një nga krizat më të vazhdueshme dhe të paadresuara të të drejtave të njeriut në botë, me shumë pak përparim të bërë në dy dekada,” thekson OBSH në deklaratën e saj.
Raporti gjithashtu zbulon se vetëm në 12 muajt e fundit, 316 milionë gra, që përfaqësojnë 11% të të gjitha grave mbi 15 vjeç, kanë qenë viktimë e dhunës nga partneri intim.
Organizata u ka bërë thirrje shteteve të veprojnë me urgjencë për të forcuar mbrojtjen e grave. Kjo situ është cilësuar si “një plagë globale që prek çdo shtresë të shoqërisë” dhe kërkon investim serioz në parandalim, mbështetje dhe drejtësi.
